Haradinaj: Serbia ta ndal gjuhën kërcënuese ndaj vendeve që na kanë njohur
Lexohet për: 2 min.
Ramush Haradinaj 2022 - Konferenca AAK (2 of 9) (5)
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se gjuha të cilën është duke e përdorur Serbia, është gjuhë e cila i ka shkaktuar tragjeditë, plagët e të cilave po i vuajmë ende.

Haradinaj ka thënë se kjo gjuhë i takon të kaluarës.

“Serbia po flet me gjuhën e të fuqishmit dhe po kërcënon vendet e rajonit që e kanë njohur Kosovën, dhe po paralajmëron edhe vendet e tjera që do ta njohin Kosovën. Kjo gjuhë i takon të kaluarës dhe kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë, plagët e të cilave ende i vuajnë popujt e Ballkanit”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se Serbia duhet të ndal kërcënimet dhe të mos harrojë se ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman.

“Vendet e lira, në vendimet e tyre të bazuara në interesin e tyre nacional, e kanë njohur Kosovën. Serbia duhet ta ndal gjuhën e të fuqishmit, të ndal kërcënimet dhe mos të harrojë se e ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman të përkrahur nga Amerika, dhe t'i kthehet gjuhës së arsyes”.

“Kosova nuk do të ndalet nga rruga e vet drejt integrimeve euroatlantike. Do të ishte e mençur për Serbinë, që të lëviz nga ‘status quo’ në të cilën gjendet”, ka përfunduar Haradinaj.

https://kosovapress.com/admin/rama-i-kunderpergjigjet-vuceviqit-sdo-ta-lejojme-askend-te-na-terheq-prapa/

Ky reagim i Haradinajt vjen pas kërcënimeve të ministrit serb të Mbrojtjes, njëherësh edhe kryetar i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq, i cili ka deklaruar se “Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, duke theksuar se “kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe duke kërcënuar me destabilizimin e rajonit”.

“Ke bërë një gabim dhe do të të godasë në kokë, ashtu siç i godet në Ukrainë të gjithë ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ju e keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është ‘sui generis’, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk të besojnë në këtë”, ka thënë ai për një medium në Serbi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025