Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj ka deklaruar se nxënësve duhet t’u sigurohen librat falas e jo t’u komplikohet jeta me procedurat e aplikimit.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se pushteti modelin e ndarjes së parave për tekste shkollore e kishte provuar vitin e shkuar dhe kishin dalë të dështuar.
Sipas Haradinajt, në vend që të rritet cilësia në arsim pushteti po sajon armiq imagjinarë në mesin e mësuesve e sindikatave.
“Në vend që ta rrisin cilësinë në arsim e të mos mbetemi në fund të listës së PISA-s, këta sajojnë armiq imagjinarë në mesin e mësuesve e sindikatave. Në vend që t'i rrisin pagat e mësimdhënësve, merren me veprime populiste, se mos po shpërqendrohet vëmendja nga problemet reale. Por, ato po grumbullohen përditë dhe po bëhen të papërballueshme. Prandaj, numri i mësuesve dhe nxënësve që e kanë braktisur Kosovën, është alarmant”, ka shtuar ai.