Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, buxhetin për vitin 2024 e ka quajtur stagnues e të varfërisë për qytetarët, ndërsa kritika adresuan edhe për investimet kapitale, pasi që sipas tyre nuk do të ketë zhvillim ekonomik.
Në tryezën e mbajtur nga Grupi Parlamentar i AAK-së me temë "Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024", u tha se ka shumë institucione që nuk kanë përfituar rritje të buxhetit, që sipas tyre është në dëme të shtetit.
Se kjo qeveri nuk është duke punuar për zhvillimet ekonomike të vendit e tha edhe Pal Lekaj. Ai tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm ka rritje të luksit dhe jo të investimeve kapitale.
Ndërkaq, kritika për qeverinë në këtë drejtim kishte edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj. Ai tha se ngritja e koeficientit në 110 euro është ironike e nënçmuese. Ndërsa ka kërkuar nga qeveria të merret me këtë çështje, në të kundërtën do të ketë mungesë të kuadrove në arsim.
Kujtojmë se, qeveria ka miratuar para dy jave projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë euro 314 milionë euro. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri, Albin Kurti tha se me këtë projektbuxhet rëndësi të veçantë i kanë kushtuar mbrojtjes së sigurisë. Ai theksoi se buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme do të tejkalojë 216 milionë euro, ndërkaq Ministrisë së Mbrojtjes do të ketë buxhet prej mbi 153 milionë euro. /E.Krasniqi/