Përmes një shkrimi autorial kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se në shtatorin e vitit 2017, gjendja elektro-energjetike ne Kosovë, ishte katastrofike. Më e vështirë se sa që është aktualisht. Kishin shteruar rezervat e thëngjillit dhe eskavatorët nuk gërmonin më.
Haradinaj ka theksuar se, që në vitin 2014 Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim për shpronësimin e 54 hektarëve tokë ku gravitonin 20 shtëpi, për të hapur minierën e re, por vendimi nuk ishte realizuar asnjëherë dhe në ata 54 hektarë ishin ndërtuar gjithsej 226 shtëpi.
Shkrimi i plotë:
Energjia, kjo plagë e pashërueshme e Kosovës!
Arsyetimi ishte se nuk ishin shpronësuar banorët në Shipitullë!!!
Në fakt që në vitin 2014 Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim për shpronësimin e 54 hektarëve tokë ku gravitonin 20 shtëpi, për të hapur minierën e re, por vendimi nuk ishte realizuar asnjëherë dhe në ata 54 hektarë ishin ndërtuar gjithsej 226 shtëpi. Kishin mbirë si kërpudhat pas shiu, natyrisht kjo edhe sepse aty i kishin futur duart grupe të ndryshme interesi, që nga vet pushteti i atëhershëm e deri te tuxharët e energjisë.
Kjo ishte gjendja që unë e kisha trashëguar me ta marrë detyrën e Kryeministrit.
Duke qenë se situata ishte e rëndë e Kosova po hynte në dimër, pata kaluar javë të tëra në KEK e me banorët e zonës, në kërkim të një zgjidhjeje.
Kështu duke analizuar përfitimet e rreziqet, vendimi im i parë si Kryeministër ishte që të shpronësoheshin banorët, që KEK-u të rikthehej në prodhim me mbi 900 megavatë, që të mos shtrenjtohej rryma dhe që Kosova t’i shpëtonte rreth 150 milionë euro.
Duke e parë se situata elektro-energjetike edhe sot është e rëndë dhe mund të shkojë drejt kolapsit total, i pata kërkuar kryeministrit: që ministrat e tij të kalojnë më shumë orë pune në KEK, që të “mërdhijnë” duke kërkuar zgjidhje; që ta rishikojë projektin e Kosovës së Re; që ta rishikojë projektin e gazsjellësit Shkup-Prishtinë; që të bëjnë marrëveshje për blerje të energjisë sa nuk është bërë tepër vonë…
Dhe natyrisht të mos harrojnë të na thonë se “Ky dimër do të jetë i rëndë”!
Plaga energjetike e Kosovës, që kullon, nuk shërohet me këshilla nga interneti, por me vendime të mëdha të Kryeministrit.
Ramush Haradinaj