Haradinaj nuk ia ndal kritikat Kurtit: Jam i zhgënjyer me paraqitje në fushatë
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 2 min.
2 orë më parë
Linku u kopjua
Kandidati për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj u shpreh i zhgënjyer me paraqitjen e kryeministrit aktual Albin Kurti dhe kabinetit të tij në fushatën elektorale, duke thënë se “po lënë një dëshmi të keqe prapa vetes.”
Në tubimin elektoral në Viti, Haradinaj u zotua për uljen e çmimit të energjisë elektrike, anëtarësimin në NATO dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike.
“Jam i zhgënjyer me figurën që po e jep si kryetar i qeverisë së vendit. Jam i zhgënjyer me dëshminë e keqe që po e lënë i gjithë kabineti i tij”, tha Haradinaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se e vetmja mënyrë për të pasur siguri të plotë është anëtarësimi në NATO.
Haradinaj u premtoi qytetarëve të Vitisë se do ta ulë çmimin e energjisë elektrike si dhe do ta përgatisë ligjin e ri për investime strategjike.
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se Vitia ka një milion arsye për t’i thënë “jo” atyre që kanë qeverisur katër vjetët e fundit. Ai tha se dëshmorët nuk duhet kujtuar vetëm njëherë në katër vjet në fushata elektorale.
Premtime për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Vitisë kanë dhënë edhe kandidatët për deputetë nga kjo komunë.