Haradinaj nga Stublla: Ernest Koliqi ishte një komb-ndërtues
Lexohet për: 2 min.
hfgh
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në shënimin e 120-vjetorit të lindjes së gardianit të kulturës shqiptare, Ernest Koliqi.

Haradinaj ka thënë se në mes të hijeve të Luftës së Dytë Botërore, Koliqi dërgoi qindra mësues në Kosovë, një akt që tejkalonte detyrën e thjeshtë administrative.

"Sot jemi bashkuar në Stubëll, djepin e arsimit shqip në Kosovë, të nisur nga Don Mikel Tarabulluzi. Pikërisht në këtë tokë të shenjtë i bëjmë homazhe një tjetër rojtari të kulturës sonë, Ernest Koliqit. Në mes të hijeve të Luftës së Dytë Botërore, Koliqi dërgoi qindra mësues në Kosovë, një akt që tejkalonte detyrën e thjeshtë administrative. Ishte një lëvizje strategjike për të ruajtur thelbin tonë shqiptar, të nisur nga Don Mikel e të nxitur nga fryma e Lidhjes së Prizrenit", ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Ernest Koliqi ishte një komb-ndërtues, jo thjesht veç një shkrimtar.

"Ernest Koliqi nuk ishte thjesht një shkrimtar; ai ishte një komb-ndërtues. Veprat e tij letrare dhe kujdesi editorial i revistave si "Illyria" shpërndanë kulturën, gjeografinë dhe historinë tonë, duke na ofruar njohuri analitike. Megjithatë, ndikimi i tij i thellë nuk u kufizua vetëm në fjalën e shkruar. Si ministër i Arsimit, ai e materializoi patriotizmin e tij duke forcuar infrastrukturën arsimore në Kosovën e pushtuar gjatë, nga Serbia e Jugosllavia. Ky ishte një akt i llogaritur, i guximshëm, i ngjashëm me përpjekjet nismëtare të Don Mikelit, për të sfiduar zhbërjen e identitetit tonë", është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se do të jemi ruajtës të porosive të patriotëve shqiptar si Koliqi.

"Ndërsa jemi mledhur këtu, pikërisht në tokën ku u shfaq vendosmëria e guximi i Don Mikelit, të zotohemi se do të jemi ruajtës të porosive të patriotëve si ai e Koliqi. Këta burra na kujtojnë se kultura dhe edukimi ynë janë intrumente aktive të rezistencës dhe identitetit. Fjalët dhe veprat e tyre, vazhdojnë të na udhëheqin e frymëzojnë në rrugën tonë për ruajtjen dhe kultivimin e vazhdueshëm të trashëgimisë sonë shqiptare", ka përfunduar Haradinaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024