Haradinaj: Kurti shkurtpamës në ekonomi, s’po shihen të arriturat e vizitës së tij në Amerikë
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj po konsideron se tani është koha që Kosova të kalojë në ofanzivë politike dhe diplomatike në procesin e dialogut për të arritur marrëveshjen me Serbinë.
Sipas tij, vazhdimi i dialogut teknik vetëm po i sjellë dëme Kosovës.
“Mendoj se është duke i sjell dëme vazhdimi i dialogut të teknikëve rreth ngjitësve të tabelave dhe stiketsave. Është koha me kaluar në një ofanzivë politike dhe diplomatike në dialog me e ngushtuar Serbinë, pra me vendos para aktit të kryer për marrjen e njohjes e kjo qasje e dialogut është e gabuar”, u shpreh kreu i AAK-së.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili sapo është kthyer nga një vizitë në SHBA ka komentuar edhe vizitën e kryeministrit aktual, Albin Kurti i cili po vazhon të qëndoj në Amerikë.
Haradinaj u shpreh se rezultatet e kësaj vizite të Kurtit nuk po i sheh.
“Mendoj se kam bërë punë të duhur atje, është tepër me rëndësi për Kosovës me u forcuar siguria, shteti ligjor, baza ekonomike e Kosovës por edhe miqësia me Amerikën, sepse na afron drejt NATO-së. Sa i përket komenteve për vizitën e kryeministrit po kursehem sepse nuk po i shoh të arriturat e kësaj vizite.....Kurti është ta quaj ashtu shumë shkurtpamës në ekonomi, ai ka ndërprerë të gjitha investimet kapitale në infrastrukturë, nuk mundesh me bo ekonomi pa infrastrukturë, parakusht që me ndodh ekonomia është infrastruktura për këtë arsye thash po kursehem për shkak se nuk po i shoh të arriturat nuk po e shoh suksesin e kohës që po e shfrytëzon atje”, tha ai.
Kosova javën e kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, këtë iniciativë Haradinaj e konsideron se është bërë në moment të duhur, derisa theksoi angazhimin e tij për këtë proces.
“Është bërë punë e gjatë në vazhdimësi, po është momenti i duhur se tanimë nuk është Rusia në Këshillin e Evropës me na penguar. Besoj shumë në ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë dhe ta realizojmë...është e arritur e gjithë Kosovës dhe e institucioneve, ka qenë një punë e madhe dhe e vazhdueshme dhe angazhohemi seriozisht që të arrihet”, theksoi ai.
Më 13 maj 2022 në Bruksel është zhvilluar një takim në nivel kryenegociatorësh, por përsëri nuk u arrit marrëveshje lidhur me targat e veturave.