Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga presidentja, Vjosa Osmani që të distancohet nga qeveria Kurti. Sipas tij, e para e vendit duhet t’i kërkojë falje qytetarëve që ka kërkuar votë në vitin 2021 për Lëvizjen Vetëvendosje, pasi në temat që ka besuar si fuqizimi ndërkombëtarë, partneriteti me aleatë dhe zhvillimi ekonomik s’kanë ndodhur asnjëra.
Haradinaj në konferencë për medie të enjten listoi tri arsye pse duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta me 26 janar të vitit 2025, derisa u shpreh skeptik për mundësitë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë.
Këto tri tema sipas tij janë element i rëndësishëm që t’i shkurtohet jeta ekzekutivit, siç tha qoftë edhe për disa javë.
Ai theksoi se ideja e kryeministrit Kurti për shpërndarjen e Kuvendit s’ka qenë projekt serioz, derisa nënvizoi se LVV dhe partitë e afërta me ta, ku përfshiu edhe Listën Serbe po kërkojnë që zgjedhjet të mbahen me 9 shkurt ose 16 shkurt.
Ai theksoi se në kohën e tij Milan Radoiçiq, përgjegjësi i sulmit të Banjskës ka qenë i ndjekur nga ligji, derisa në periudhën e qeverisë aktuale ndërtoi vilë te Liqeni i Ujmanit.
Në anën tjetër, Haradinaj tha se kanë filluar diskutimet brenda partiake për hartimin e listës së deputetëve dhe programit qeverisës.