Hapet ekspozita “Duke parë përtej”, De Riu: Shkenca në shërbim të sigurimit të paqes
Lexohet për: 4 min.
336108265_767434481661607_7356364781907552349_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sot, në Prishtinë u hap ekspozita e pamjeve satelitore “Looking Beyond - Duke parë përtej”.

Me këtë rast, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu u shpreh se ekspozita paraqet qasje, në të cilën Italia beson fuqishëm, duke e vënë shkencën në shërbim të sigurimit të paqes së planetit tonë.

Ai tha se që nga ardhja në Kosovë, e ka bërë të qartë se qëllimi i aktiviteteve të tyre është krijimi i një partneriteti me institucionet vendore.

“Nuk ka rast më të mirë për të festuar ditën tonë të hulumtimit, se duke mbështetur Klubin e Astronomisë së Kosovës, në përvjetorin e nëntë, ku më pak se një vit më parë, në korrik, falë kontributit të UNMIK-ut dhe Komunës së Prishtinës, hapëm dyert e Observatorit astronomik, pas 42 vitesh. Ekspozita paraqet një qasje në të cilën Italia beson fuqishëm, duke e vënë shkencën në shërbim të sigurimit të paqes dhe prosperitetit të planetit tonë.”, u tha ai, duke falënderuar i Komunën e Prishtinës për vënien në dispozicion të hapësirës dhe qendrës rinore për të hapur ekspozitën.

Lidhur me hapjen e ekspozitës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se kjo për kryeqytetin është shumë me rëndësi, për të zgjeruar hapësirën e edukimit për rininë.

Ai ekspozitën “Looking Beyond - Duke parë përtej” e quajti me rëndësi të veçantë.

Ndërkaq, kuratori i ekspozitës, Filippo Maggia, një nga ekspertët më të mëdhenj italianë në fushën e fotografisë bashkëkohore, theksoi se qëllimi i ekspozitës është fokusimi më tepër në hapjen e horizontit.

Ai tha se objektivi i tij që nga fillimi ka qenë që kur ta bëjë këtë ekspozitë të japë një ndjenjë të pamjeve që njerëzit i shohin kur janë në fluturim me aeroplan, se si duket bota në copëza të vogla.

Në kuadër të “Ditës së kërkimit italian në botë”, ekspozita “Looking Beyond - Duke parë përtej” do të jetë e hapur për publikun deri më 14 prill, çdo ditë, nga e hëna në të premte, nga ora 11:00 – 18:00 dhe hyrja do të jetë falas.

Ekspozita e pamjeve satelitore “Looking Beyond - Duke parë përtej” u organizua nga Observatori Astronomik i Prishtinës në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Kosovë, promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Italiane me kontributin e Agjencisë Italiane të Hapësirës (ASI) dhe të kompanive e-GEOS dhe Telespazio, aktive në fushën e zgjidhjeve dhe shërbimeve satelitore.

Kujtojmë që, Observatori Astronomik i Prishtinës, i hapur për herë të parë në vitin 1977, kishte funksionuar vetëm 3-4 vjet, megjithatë kishte shërbyer si qendër shkencore dhe arsimore dhe si nyje e bashkëpunimit midis Lindjes dhe Perëndimit gjatë Luftës së Ftohtë. Në vitin 2022, pas 43 vitesh pasiviteti dhe falë kontributit të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe Komunës së Prishtinës, kishte rihapur dyert e tij me përpjekjet e disa të rinjve entuziastëve të hapësirës. Qendra ka disa teleskopë dhe një stacion meteorologjik. Organizon ngjarje shkencore dhe takime vëzhgimi të hapësirës, ??sidomos gjatë eklipseve.

Ndryshe, Dita e kërkimit italian në botë promovohet nga Ministria e Universitetit dhe Kërkimit me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar me synimin për të rritur kontributin e studiuesve italianë në shkencën ndërkombëtare. Në mënyrë simbolike festohet rreth datës 15 prill, përvjetorit të lindjes së gjeniut italian, Leonardo Da Vinci./KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025