Shoqata e Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS, sot bashkërisht me HANDIKOS Prishtina dhe Grupin Avokues të Prindërve të fëmijëve e të rriturve me aftësi të kufizuara në Prishtinë, kanë adresuar shqetësimin rreth situatës me të cilën po pëmbyllet ky fundvit dhe ndërprerjen e shërbimeve në Qendrën e Resurseve, si pasojë e përfundimit të të gjitha projekteve që kanë qenë të fokusura në këtë fushë.
Ata në një konferencë të jashtëzakonshme, kanë dhënë detaje për gjendjen e rëndë ekonomike, derisa prindërit kanë paralajmëruar edhe protesta.
Po ashtu, nga grupi avokues, Fidajete Shala, tha se kjo situatë po i dëmton ekonomikisht. Ajo tha se komuna duhet të ofrojë zgjidhje për ofrimin e shërbimeve afatgjatë për të gjithë personat me aftësi të kufizuara.
Shala tha se nëse nuk ndërmerret diçka për personat me aftësi të kufizuara, ata do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre edhe me protesta.
Handikos është organizatë e cila punëson më së shumti persona me aftësi të kufizuar dhe ndërmjetëson punësimin e tyre në tregun e punës, duke ngritur kapacitetet e tyre.