Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar lidhur me rinumërimin e pjesshëm të votave, duke e cilësuar situatën si “tepër shqetësuese” për shkak të mospërputhjeve të mëdha të zbuluara.
Ai ka vlerësuar se, në rrethanat e krijuara, rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.
“Në këto rrethana të krijuara, si Kryetar i PDK-së vlerësoj se rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë. Institucionet përgjegjëse e kanë obligim kushtetues të veprojnë menjëherë për ta mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Çdo vonesë apo hezitim është cenim i drejtpërdrejtë i besimit qytetar”, shkruan Hamza nw Facebook.
Personat që vërtetohet se kanë cenuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 28 janarit 2025 mund të dënohen nga 3 deri në 5 vjet. Kështu thonë njohësit e çështjeve juridike të cilët theksojnë se falsifikimi i rezultatit zgjedhor përbën vepër të rëndë penale, raporton KosovaPress.
Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për KosovaPress se varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera.