Vrasja e Liridona Ademajt, krejt çka ndodhi në seancën e sotme
Lajme
Lexohet për: 5 min.
Vrasja e Liridona Ademajt, krejt çka ndodhi në seancën e sotme
2 orë më parë
Linku u kopjua

Në shqyrtimin fillestar për vrasjen e Liridona Ademajt, i akuzuari Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Granit Plava zgjodhi të mbrohet në heshtje, Kushtrim Kokalla tha se nuk do të deklarohet rreth fajësisë, ndërsa  i akuzuari tjetër Tom Dodaj u dënua me 5 vjet heqje lirie.

Krahas të akuzuarve dhe avokatëve të tyre, në seancën e sotme gjyqësore, e cila zgjati gati dy orë, ishin prezentë edhe familjarët e së ndjerës Liridona Ademaj.

Deklarimin rreth fajësisë katër të akuzuarit për vrasjen e Liridonës më 29 nëntor 2023 e bënë pasi u lexua aktakuza nga prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq.

Naim Murseli derisa është pyetur nga gjyqtarja rreth fajësisë, tha se është plotësisht i pafajshëm.

Në heshtje vendosi të mbrohet i akuzuari tjetër, i cili sipas aktakuzës është edhe dorasi, Granit Plava.

Ndërsa, i akuzuari tjetër Kushtrim Kokalla nuk u deklarua rreth fajësisë pa u konsultuar me avokatin e tij.

Ndërsa, Tom Dodaj prej të cilit ishte blerë arma me të cilën është vrarë Liridona Ademaj, e ka pranuar fajësinë dhe është shpallur fajtor për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”. Për këtë vepër penale gjykata Tom Dodaj e dënoi me 5 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq tha se i akuzuari Naim Murseli për shkak të raporteve të çrregullta familjare dhe martesore me të ndjerën Liridona Ademaj e kishte planifikuar vrasjen e saj.

Më pas, sipas aktakuzës Naim Murseli planin e tij për vrasje ia kishte shpalosur  Kushtrim Kokallës, dhe nga ai kishte kërkuar mënyra për ta realizuar planin e vrasjes.

Sipas aktakuzës Kokalla fillimisht e kishte refuzuar, por më pas e kishte njoftuar Murselin me Granit Plavën, dhe që të tre ishin dakorduar që Granit Plava të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naim Murseli të paguajë në formë kompensimi 30 mijë euro.

Aktakuza thotë se Naim Murseli më 29 nëntor 2023, e kishte siguruar armën e zjarrit dhe 20 fishekë, të cilat i ka blerë rreth orës 14:00, po të njëjtën ditë nga Tom Dodaj në shumën prej 280 euro.

Ndërsa, i akuzuari, Granit Plava sipas aktakuzës më datën 29 nëntor 2023 kishte shtënë në drejtim të Liridona Ademajt dhe si pasojë ajo kishte mbetur e vrarë.

Aktakuza thotë po ashtu se bashkëshorti i Liridona Ademajt i cili e kishte planifikuar vrasjen e saj Naim Murseli e kishte mbajtur për krahun e dorës së djathtë të njërën derisa Plava e kishte qëlluar në kokë, saktësisht prapa veshit të djathtë.

Sipas aktakuzës, Kushtrim Kokalla akuzohet për bashkëkryerjes së veprës penale “vrasje e rëndë“ pasi njoftoi Granit Plavën me Naim Murselin dhe u dakorduan që Granit Plava ta kryejë vrasjen.

Kokalla akuzohet edhe për moslajmërim të kryesve të veprës penale vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë në vrasjen e Liridona Ademajt ishte i përfshirë edhe Tom Dodaj për shitjen e armës te Naim Murseli. Me këtë armë  e cila ishte blerë në një shumë prej 280 eurosh sipas prokurores është vrarë Liridona Ademaj.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, gjatë seancës së sotme njoftoi të akuzuarit, Naim Murseli ,Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla se nëse shpallen fajtorë, mund të dënohen nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm.

Qysh në nisjen e seancës së sotme për vrasjen e Liridona Ademajt sërish për shkresat e lëndës shprehu pakënaqësi avokati i të akuzuarit Kushtrim Kokallës, Ndrec Dodaj. Ai tha se CD-ja e dërguara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk i është hapur. Sipas tij edhe një pjesë e aktakuzës nuk është përkthyer nga gjuha serbe në gjuhën shqipe dhe as nga gjuha suedeze po ashtu në gjuhën shqipe.

Sa i takon çështjes së CD-së, kryetarja e trupit gjykues kërkoi vlerësim nga IT e gjykatës dhe më pas u testua hapja e CD-së. Më pas, gjyqtarja konstatoi se materialet janë në rregull dhe se të njëjtat u janë dërguar palëve.

Për prishje të qetësisë dhe mos pajtim me sjelljes e gjykatëses ndaj avokatit, Dodaj, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku e dënoi me 500 euro gjobë mbrojtësin e Naim Murselit, Shemsedin  Piraj.

Shqyrtimi fillestar për vrasjen e Liridona Ademajt dështoi më 27 janar pasi mbrojtja e Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt deklaruan se nuk janë pajisur me shkresat e lëndës.

Për vrasjen e Liridona Ademajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar ngriti aktakuzë ndaj katër personave.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025