Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se janë duke bërë shumë reforma strukturore për të lehtësuar të bërit biznes, me politikat dhe ligjet e reja për të nxitur dhe mbrojtur investimet nga diaspora dhe më gjerë në Kosovë, gjersa me analiza të mirëfillta kanë identifikuar potencialin e industrisë sonë, për më shumë vende pune dhe rritje të konkurrueshmërisë.
Ajo i bëri këto komente gjatë Panairit të Bizneseve Shqiptare në Austri, të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare.
Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Hajdari u shpreh e lumtur që në emër të Kryeministrit Kurti, të gjendet pranë shumë bizneseve të suksesshme shqiptare, duke shtuar se vetëm të bashkuar arrijmë të kemi më shumë suksese.
Ministrja Hajdari shtoi se me bashkëpunim të mirë dhe duke plotësuar njëri tjetrin, sjellim vlerë të shtuar për produktet tona, për të qenë edhe më shumë pjesëmarrës në zinxhirin e vlerës në rajon dhe me gjerë.
Ndër shumë përparësi të tjera, ajo theksoi potencialin e të rinjve tanë inovativ, me aftësi digjitale dhe kompetencën për prodhim në sektorë të ndryshëm industrialë, siç janë: sektori i drurit, industrisë metalike, industrisë jo metalike, platisikës, tekstilit, kimike, pijeve e ushqimit etj. Ajo riktheskoi se me proaktivitetin e bizneseve me kompetencë dhe me inteligjencë të lartë të resurseve njerëzore dhe me pasuritë tona natyrore, do të mund të prodhojmë produkte me vlerë të shtuar, për të qënë pjesë e zingjirit të vlerës në tregun global dhe për të ofruar punësim të denjë për të rinjtë tanë.
Në përfundim, ministrja Hajdari tha se gjersa diaspora ka ruajtur e ndihmuar gjithmonë shtetin tonë, ne jemi duke punuar për sundimin e ligjit në vendin tonë dhe duke krijuar një mjedis të favorshëm për të nxitur dhe mbrojtur investimet nga diaspora, me qëllim për të shfrytëzuar sa më shumë hyrjet e mëdha të remitencave nga diaspora.
Me pjesëmarrje të bizneseve shqiptare me potencial eksportues nga Republika e Kosovës dhe Austria u mbajtën takime rrjetëzimi B2B duke rezultuar në marrëveshje për furnizim dhe eksport nga Kosova në Austri. Pjesëmarrja e kompanive kosovare u mbështet nga projekti MARDI me financim nga Caritas dhe zbatim nga KIESA dhe GERMIN.