Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar seancën e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e ardhshme ndaj Rumanisë. Në prag të sfidës së parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, Dardanët janë zhvendosur në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku të premten do të ballafaqohen me kundërshtarin më të fuqishëm të Grupit 2 në Ligën C.
Në këtë seancë, përzgjedhësi Franco Foda ka vendosur fokusin kryesor në aspektin taktik, duke synuar zbatimin e ideve të tij në fushë nga ekipi për këtë përballje të rëndësishme. Futbollistët kanë punuar me përkushtim dhe seriozitet të lartë, ndërsa pritjet janë të larta për një performancë të suksesshme.
Edhe Mërgim Vojvoda ndau optimizmin e tij për ndeshjen e parë të këtij cikli të ri të Ligës së Kombeve. “Atmosfera është shumë e mirë. Çdo lojtar është duke e ndje mirë. Jemi të gjithë në formë të mirë dhe presim të kemi një lojë të mirë. Edhe pse kundërshtari është një prej më të rivalëve më të fortë, por ne do të hyjmë në fushë për t’i marrë tri pikë. Presim fitore, besoj se këtu në Fadil Vokrri duhet të presim vetëm fitore para tifozëve tanë. Mesazhi për Dardanët? Na kanë munguar shumë. Shpresojmë që stadiumi të jetë i mbushur dhe i zjarrtë siç ka qenë gjithmonë sepse kemi nevojë për lojtarin e 12-të”, tha Vojvoda.
Stërvitjen e fundit para ndeshjes me rumunët, Dardanët do ta zhvillojnë, të enjten, në orën 17:30, derisa paraprakisht në orën 17:00 do të mbahet konferenca për media.