Partia Guxo ka deklaruar mbështetjen e plotë për institucionet e Kosovës në përpjekjet demokratike për qeverisje lokale, rend dhe ligj. Sipas kësaj partie, kryetarët e zgjedhur në komunat veriore duhet të punojnë nga objektet komunale.
Në një deklaratë të kësaj partie lidhur me zhvillimet aktuale në vend, është theksuar se sovraniteti i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm.
“Partia Guxo mbështet plotësisht institucionet e Republikës së Kosovës në përpjekjet demokratike për qeverisje lokale, për rend, rregull dhe ligj. Partia Guxo mbështet fuqishëm qëndrimin e institucioneve se kryetarët e komunave duhet të punojnë nga objektet zyrtare komunale dhe, natyrisht, në çdo ndërtesë zyrtare e qeveritare duhet të valojë flamuri i shtetit të Kosovës”, është bërë e ditur në deklaratë.
Tutje, janë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve, ndërsa është shprehur mbështetje për komunikim dhe bashkërendim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar.