Në kuadër të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashington, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili u prit në takim nga zëvendësndihmës sekretari i Thesarit amerikan, Luyen Tran si pjesë e partneritetit ndërmjet BQK-së dhe Departamentit të Thesarit Amerikan.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e palëkundur të Thesarit amerikan, veçanërisht me rastin e 25-vjetorit të themelimit të BQK-së. Ai vlerësoi rolin e rëndësishëm të Zyrës për Asistencë Teknike (OTA) të Departamentit të Thesarit në ndërtimin e një banke qendrore të fortë dhe të qëndrueshme për Kosovën, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar funksionet dhe kapacitetet e BQK-së.
Ismaili theksoi se ky bashkëpunim ka qenë vendimtar në kornizën qeverisëse, rritjen e mbikëqyrjes rregullatore dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar.
Ai gjithashtu ritheksoi përkushtimin e BQK-së për të ruajtur partneritetin e ngushtë me Thesarin e SHBA-së, ndërsa vazhdon të ndjekin iniciativa që do të sigurojnë rritje ekonomike dhe stabilitet financiar në Kosovë.Banka Qendrore e Kosovës mbetet e përkushtuar për të nxitur një sektor financiar të fortë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, me një vizion në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.