Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili po merr pjesë në takime të nivelit të lartë në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) me guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, lidhur me integrimin në sistemin evropian të bankave qendrore, përkatësisht në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta TIPS.
Punimet i hapi anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone i cili ka zëvendësuar Fabio Panetta që rishtas është emëruar Guvernator i Bankës së Italisë. Nga Cipollone u dhanë mesazhet kryesore mbështetëse për këtë nismë.“Në margjina të këtyre takimeve nga ekspertët e Bankës Qendrore Evropiane, Bankës së Italisë, Bankës së Francës dhe Bankës Qendrore të Gjermanisë u trajtuan tema mbi infrastrukturën e tregut financiar, zhvillimet dhe risitë për instrumentet e pagesave, teknologjitë e reja, valutat digjitale të bankave qendrore dhe euron digjitale”, thuhet në komunikatë.
BQE-ja në kuadër të mbështetjes së projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe objektivave të G20-së, po mbështet me nisma konkrete siç është ajo e ndërlidhjes së sistemeve të pagesave dhe përfshirjes së rajonit tonë në sistemet e Bashkimit Evropian.
Avancimi i sistemit kombëtar përmes mundësimit të pagesave "instant" (24/7), si dhe ndërlidhja me sistemin TIPS është objektiv i BQK-së, i cili kur të arrihet do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit tonë, rajonit, diasporës, si dhe qarkullimin e pagesave për shkëmbimet tregtare me BE-në, si partneri më i madh tregtar i Republikës së Kosovës.