Grupi punues i Fondit Sovran i reagojnë Hotit: FSRK në asnjë rast nuk prek konkurrencën
Lexohet për: 9 min.
Projektligji-i-Fondit-Sovran
1 vit më parë
Linku u kopjua

Grupi punues dhe ekspertët ligjorë të Fondit Sovran i kanë reaguar deputeti të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili tha se ky fond dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrjet publike dhe buxhetin e shtetit.

Hoti pati shkruar në Facebook, se Ligji për Fondin Sovran dhe koncept dokumenti përkatës kanë për bazë ideologjinë ekonomike që është e kundërt me liberalizmin ekonomik.

Në reagimin në emër të grupit punues dhe grupit të ekspertëve ligjorë të FRSK-së, i cili mban emrin e profesorit  dhe ekspertit të ekonomisë politike, Besnik Pula dhe financierit dhe ekspertit bankar, Emanuel Bajra, thuhet se nuk e dinë se në çfarë forme Hoti e përdorë termin liberalizëm ekonomik.

Sipas tyre, në të njëjtin reagim, ai angazhohet për “parimet e ekonomisë sociale tregut”, derisa shtojnë se për shumicën e intelektualëve e ekonomistëve, liberalizmi ekonomik dhe ekonomia sociale e tregut përfaqësojnë dy koncepte të ndryshme.

“Ekonomia sociale e tregut për shumëkë bazohet në instrumente anti-treg, siç janë politikat e mbrojtjes sociale (p.sh., ekzistimi i një sistemi pensional, apo i asistencës sociale) dhe i tregjeve të rregulluara. Ato politika janë të kundërta ndaj qasjes fundamentaliste në liberalizmin ekonomik, i cili nuk toleron mekanizma publik të rishpërndarjes dhe rregullimit të tregjeve. Meqenëse deputeti Hoti përdorë në të njëjtën shprehje koncepte që mbajnë kuptime të ndryshme e të shumëfishta, e kemi të vështirë ta pozicionojmë këndin e kritikës së tij “ideologjike” ndaj FSRK-së”, thuhet në reagim.

Në reagim theksohet se sipas organizatës ndërkombëtare Global Sovereign Wealth Funds (globalsëf.com), fondet sovrane sot menaxhojnë mbi 11 trilionë dollarë investime, fondet sovrane kanë prani në të gjitha kontinentet.

Aty theksohet se  institucione të tilla posedojnë vendet e zhvilluara si Austria, Irlanda, Korea e Jugut, Turqia, Singapuri e Sllovenia, e vende në zhvillim si Etiopia e Botsuana.

“Fondet sovrane figurojnë pranë qeverive e pushteteve të të gjitha ngjyrave, llojeve, e kategorive, demokratike e jo-demokratike, liberale e jo-liberale, më shumë e më pak të pasura, me e pa burime natyrore, me një gjeografi që vijon rreth globit nga Zelanda e Re deri te Panamaja. Kjo vetëm vërteton faktin se në botën e sotme, fondet sovrane janë instrumente normale për arritjen e synimeve nacionale ekonomike, financiare e zhvillimore. Si institucione e instrumente, fondet sovrane sot janë të barazvlefshme me bankat qendrore, fondet pensionale dhe ministritë e financave. Të akuzohet një projekt për një fond sovran si ideologjik, është sikur të akuzohet si ideologjike fakti që Kosova ka një bankë qendrore ose ministri të financave. Ky është pra, një argument absurd, për motivet dhe qëllimet e së cilës mundemi vetëm të spekulojmë. Sidoqoftë, nuk e shohim të arsyeshme të merremi më tepër me këtë linjë të kritikës”, thuhet tutje në reagim.

Sipas tyre, nga aspekti teknik, boshti i kritikës së Hotit gjendet në pohimin që “të gjitha analizat vlerësojnë se do të dëmtohet konkurrenca e lirë dhe do të krijohet pasiguri për buxhetin e shtetit”.

Ata thonë se nuk e dinë se në çfarë analiza aludon Hoti. Shtojnë se analizat e tyre kanë dëshmuar të kundërtën, ashtu siç dëshmojnë studimet e shumta ndërkombëtare që janë bërë mbi efektet e fondeve sovrane në vendet që kanë adoptuar institucione të tilla.

Deklarohet se mënyra e ndërtimit të FSRK-së, në asnjë rast nuk prek konkurrencën, në asnjë treg ekzistues të produkteve e shërbimeve.

“Një lexim i kujdesshëm i Koncept Dokumentit dhe i projektligjit konfirmon se aktiviteti i FSRK-së është i kufizuar ekskluzivisht në aktivitete financiare. FSRK nuk është dizajnuar të jetë operator ekonomik në asnjë fushë. Si i tillë, ai nuk do të gëzojë instrumente që do të cenojnë asnjë prej tregjeve të produkteve dhe shërbimeve, qofshin ato të rregulluara (sikur i energjisë dhe telekomit) apo të parregulluara, qofshin ato të dominuara nga operatorë privatë apo publikë. FSRK komplementon, dhe kompleton, arkitekturën ekzistuese institucionale ekonomike në Kosovë. Mbi të gjitha, FSRK hedh bazat për krijimin e tregut të kapitalit, një boshllëk tashmë dekadësh institucional në Kosovë”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, deklarata e Hotit se përmes përzgjedhjes së “Kampionëve Nacionalë”, Qeveria zgjedh se cilat ndërmarrje private përfitojnë nga investimet e FSRK, është argument i pabazë.

Thuhet tutje se kriteret për përzgjedhjen e sipërmarrjeve kampione (siç quhen në projektligj) janë të caktuara qartë në koncept dokument dhe nenin 32 të projektligjit për FSRK-në.

“Ato kritere janë eksplicite, rigoroze dhe lidhen me njësi të matshme. Kërkesat për këtë status iniciohen nga vetë kompanitë, sipas procedurës publike, dhe jo nga Qeveria sipas diskresionit të saj. Certifikimin e kampionëve nuk e bën Qeveria, por agjencia relevante për përkrahjen e eksporteve. Përmes këtij mekanizmi, FSRK ka mundësi të investojë, si partner minor (dhe asnjëherë si krye-aksionarë) në ndërmarrjet e suksesshme të sektorit privat. Përveç se të sigurojë kapitalin e nevojshëm për ngritjen e konkurrueshmërisë ndërkombëtare, FSRK është menduar t’i asistojë kompanitë private që të ngritin kapacitetet eksportuese të vendit. Përmes këtij mekanizmi, FSRK ndikon në përmirësimin e bilancit aktual tregtar, jashtëzakonisht të pavolitshëm, si dhe siguron rritje të punësimit të qëndrueshëm, e të avancimit të bazës teknologjike të vendit. Kjo komponentë e FSRK-së dhe metoda e paraparë e zbatimit të tij është vlerësuar pozitivisht nga ekspertë ndërkombëtarë”, thuhet tutje në reagim.

Sipas FRSK-së, është absurde të thuhet se FSRK është “hap mbrapa” në raport me ndërmarrjet publike, relativ me gjendjen aktuale të këtij sektori, pasi është pikërisht kuadri aktual ligjor që i mundëson Qeverisë kontroll mbi NP-të, duke shtuar se kjo mundësohet përmes kontrollit të bordeve dhe tendencës së emërtimit të bordeve politike e profesionalisht të pakualifikuara, që NP-të i kthejnë në çerdhe të patronazhit politik.

“Kjo është strategji që për z. Hoti duhet të jetë e njohur nga koha kur ai dhe partia e tij kanë qenë në pushtet. Është pikërisht shmangia e kësaj tendence, që FSRK ndërtohet për të shkëputur NP-të që kanë karakter komercial e orientim nga tregu, nga kontrolli qeveritar. Koncepti i FSRK në raport me menaxhimin e NP-ve është në pajtim të plotë me standardet e OECD-së për qeverisjen korporatave të sektorit shtetëror. FSRK sjell një reformë përmbajtjesore dhe një përmirësim radikal në formën e menaxhimit të NP-ve në Kosovë”, thuhet në reagim.

Sipas FRSK-së, NP-të, nën mbikëqyrjen financiare të FSRK-së, i nënshtrohen menaxhimit profesional, me strategji të qëndrueshme investive e financiare, me njësi të matshme të performancës.

Në reagim theksohet se kryesoret nga këto do të jenë cilësia e produkteve e shërbimeve që ofrojnë NP-të, dhe e profitabilitetit të qëndrueshëm të tyre.

Sipas tyre, FSRK është i dizajnuar të jetë entitet i vetë-qëndrueshëm financiar.

“Ai nuk do të funksionojë si njësi buxhetore e shtetit. Andaj, argumenti se FSRK paraqet rrezik për buxhetin është gjithashtu i paqenë. Jetësimi i FSRK-së, përveç se ia mbyll shtetit të Kosovës vrimat e humbjeve financiare që për vite të tëra kanë qenë NP-të e keqmenaxhuara e pafundësisht të subvencionuara, kthen vendin në përfitues të suficiteve fiskale. Përmes Fondit Rezervë të paraparë në kuadër të FSRK-së, Kosovës i ruhet siguria fiskale. Mbrojtja e aseteve publike dhe transferi ndërbrezor i pasurisë janë funksioni primar i çdo fondi sovran. Ky, pra, do të jetë mandati themelor i FSRK-së si institucion financiar i republikës”, theksohet në reagim.

Sa i përket qeverisjes së FSRK-së, në reagim thuhet se ushtrimi i funksionit të aksionarit nga Kuvendi (e jo nga Qeveria) është paraparë pikërisht për të shmangur kontrollin qeveritar mbi FSRK-në.

Bëhet e ditur se me vendosjen e mbikëqyrjes së FSRK-së te Kuvendi, është paraparë përfshirja direkte të opozitës në mbikëqyrjen e FSRK.

“Projektligji i jep të drejtë direkte opozitës për qasje në pasqyrat financiare të Fondit. Habitemi që z. Hoti si deputet i opozitës nuk e çmon këtë fakt. Në vend të kësaj, ai thotë se mbikëqyrja e Fondit nga Kuvendi është instrument për kapjen e tij. Përkundrazi! FSRK nuk është institucion i dizajnuar për një mandat qeveritar, por për avancimin e interesave kombëtare ekonomike. Duke qenë kështu, ne kemi paraparë në projektligj mekanizma mbikëqyrës që i japin opozitës qasje të plotë mbi informacionet më relevante për aktivitetet e FSRK-së dhe në procesin e emërimit të trupit drejtues të tij. Pushtetet dhe opozitat ndryshojnë, por FSRK është dizajnuar të jetë institucion i përhershëm shtetëror. Edhe në këtë pikë, dizajni që ne kemi propozuar për FSRK-në është vlerësuar pozitivisht nga ekspertë ndërkombëtarë, në raport me standardet e qeverisjes së mirë, në kontekstin e një vendi demokratik. Për fund, për hir të transparëncës e përgjegjësisë publike, duhet të theksojmë se z. Hoti dhe përfaqësuesve të partisë së tij u janë bërë, me ndërmjetësimin e donatorëve, disa herë ftesa për të diskutuar projektin e FSRK-së dhe për të adresuar çdo paqartësi e rezervë bashkë me grupin e ekspertëve. Partia e z. Hoti ka refuzuar çdo takim. Kritikat e z. Hoti janë, prandaj, jo vetëm të pabaza, por tashmë edhe të vona”, thuhet në reagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024