Sipas të dhënave të fundit nga IKSHPK dhe institucionet shëndetësore, intensiteti i gripit sezonal sipas numrit të rasteve të raportuara në javën e parë 2024, paraqitet me aktivitet më të lartë dhe krahasuar me javën paraprake ka shënuar rritje dhe e kalon pragun epidemik.
Në një postim në Facebook, Ministria e Shëndetësisë apelon për vigjilencë të shtuar dhe në rast simptomash të gripit, qytetarët duhet të konsultohen me mjekun familjar për këshilla dhe trajtim të duhur.
Nëse jeni të sëmurë, qëndroni në shtëpi për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, ndërsa ushqimi i shëndetshëm me më shumë lëngje, kryesisht vitaminoz dhe gjumi i mjaftueshëm janë të rëndësishëm.
MSH këshillon për kujdes të shtuar grupet më të rrezikuara, si personeli shëndetësor, gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar, të cilët duhet të kenë kujdes më të shtuar gjatë sezonit të gripit.
“Vaksinimi është mbrojtja më e mirë kundër gripit. Vaksinoheni një herë për të qenë të mbrojtur gjatë tërë sezonit kur gripi është më i shprehur. Ju lutemi të ndiqni këshillat e mësipërme për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, përfundon komunikata.