Grenell nga distanca për Kurtin - ka disa fjalë
Emisari amerikan për mision e të veçanta Richard Grenell i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti nga distanca në lidhje me deklarimet e këtij të fundit rreth raporteve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.
Albin Kurti për Istog Channel kishte mohuar të ketë prishje të raporteve ndërmjet dy vendeve duke thënë se “punët kurrë ma mirë nuk i kemi pasur.”
“Çka me bo unë. Ti e din shumë mirë se tërë jetën time kam qenë aktivist e jo analist. I kemi këto studiot që i studiojnë se çka i tha kështu e pse e këqyri ashtu. Punët kurrë ma mirë nuk i kemi pasur. Po blejmë helikopterë Black Hawk pas blerjes së sistemit Javelin. Grantin më të madh Kosova ndonjëherë prej Amerikës e ka marrë gjatë mandatit tonë. Ne kemi bërë avancimin me Amerikën kur raportin me Amerikë nuk e kemi vetëm diplomatik por e kemi edhe në mbrojtje, e në zhvillim e edhe energji”, tha Kurti.
Grenell ka komentuar në një postim në rrjetin social X, duke e quajtur këtë “delusional”, e cila ka kuptimin besime ose gjykime të rreme për realitetin e jashtëm që mbahen pavarësisht nga provat e pakundërshtueshme për të kundërtën.
“Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të ulëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë e Trump, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada e SHBA-së, Antony Blinken etj.”, ka thënë ai.
Grenell për Kurtin: Nuk është i besueshëm, mos u mashtroni • KosovaPress
Kryeministri Kurti edhe në tubimin përmbyllës të Vetëvendosjes sonte në Prishtinë tha se qeveria e tij “kurrë nuk i ka rrezikuar raportet me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian”. Sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur marrëdhënie më të gjera e më përmbajtësore.
Deklaratat e Grenell, si do të jetë e ardhmja e bashkëpunimit mes Kurtit dhe administratës Trump? • KosovaPress
“Qeveria jonë kurrë nuk i ka rrezikuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, përkundrazi, kurrë nuk ka pasur marrëdhënieve më të gjera, më të thella, më përmbajtjesore më cilësore me aleatët, partnerët, miqtë tanë ndërkombëtarë nga perëndimi, sesa me qeverinë tonë”, tha Kurti.
Kujtojmë, më herët Grenell kishte thënë se “Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit”.