Gratë nga Kosova promovojnë turizmin malor përmes ushqimeve tradicionale
Lexohet për: 10 min.
ushqimet-040323
1 vit më parë
Linku u kopjua

Nga stanet e rrethuara me dru zjarri vërehet lehtësisht shkëlqimi i perlave natyrore të Moknës. Në oborrin me disa pullaze për vizitorët, që nga fillimi i verës mblidhen rreth sofrës tradicionale shqiptare. Përgatitja e ushqimit për mysafirët tashmë është kthyer në rutinë për Gjevahire Gusturanaj. Për gjashtë muajt e vitit, në tri vakte të ditës, ajo po u ofron mirëseardhje turistëve nga gjitha vendet. Në lartësi mbidetare prej 1900 metra, turistët tash e katër vjet shijojnë panoramën e rrafshit të Dukagjinit.

Biznesi nga shtëpia tash është kthyer në një pikë të fortë të promovimit të turizmit malor dhe jo vetëm. Gjevahirja nga Istogu kujdeset edhe për bagëtitë, të cilat çdo vit i shton edhe më shumë.

“Merrem në bjeshkë me turizëm, me ushqime tradicionale. Kemi lopë, dele, dhi, produkte ushqimore çka i përkasin të gjitha këtyre djathë, mazë, kos, gjizë, kumshtë, flija. Krejt këto çka i porosisin turistët, ne i bëjmë... Që 13 vjet, por me turizëm merremi që katër vjet”, tregon ajo për KosovaPress.

Gruaja shqiptare nga Istogu nuk përmend vetëm një arsyeje, pse turistët duhet të zgjedhin bjeshkën e Moknës për vizitë.

“E para pikë është fjetja që donë me ardh, me u stacionua dhe me flejt, ushqimet, prej çajit, qumështit, buka, këto gjitha çka i përket një turisti janë tek unë.... Pika e parë është se është vendi shumë i mirë, si bjeshkë e Moknës, është shumë ajri i pastër, uji, plus ushqimet, gjumi, të gjitha janë në përgjithësi, janë bio”, shprehet ajo.

Gjevahirja bashkë me burrin e saj po mbajnë familjen, ani pse vështirësitë ishin të pa-llogaritura kohën kur nisën këtë biznes.

“Në punë nuk kemi qenë as unë as burri. I kemi pasur tre fëmijë me i shkollua, është dashur me diçka me u marrë. E kemi nis prej zeros, për një femër është shumë. Janë 50 për qind punë që mundet edhe mashkulli t’i bëjë, i bëjë unë.... Në fillim kur ja kemi nisur si të gjithë te shqiptarët, me atë që e kërkon bjeshka nuk i ke pas. Nuk e ke pas traktorin, kerrin me shkua, se ke pas kombin me bart sendet me i dërgua edhe në përgjithësi nuk i ke pas as kafshët. Është dashur të hyjmë edhe në bankë me marr edhe t’i bëjmë”, shton ajo, teksa flet për punën që bën tash e më shumë se një dekadë.

Nëna e tre fëmijëve tregon se nuk gëzuan asnjëherë ndihmën nga dora e institucioneve, që të lehtësohet puna e saj në këtë biznes.

“Krejt komuna e Istogut e dinë një femër si unë me çka merrem, se vijnë në bjeshkë i kërkojnë këto produkte që i përmenda edhe ua ofroj, e dinë me çka merrem. Qeveria të më ndihmojë, pak qeveria, pak komuna, pak ne edhe bëhet komplet”, thekson ajo.

“E bukura dhe e dobishmja”, kështu e përshkruan ajo punën e saj të nisur dy vjet më parë, për të ndihmuar edhe gratë tjera serbe.

Gordana Toskiq, e cila jeton në anën tjetër të Kosovës nga Gjevahirja, tregon se si ka nisur me gatimet tradicionale.

“Nga Kosova do të thotë nga këtu, në thelb kuzhina jonë është e ngjashme me komunitetin shumicë ku jetojmë, edhe me jo shumicë kam ndjesinë diku se e gjithë kjo mund të ketë marrë recepturën e ushqimit turk. Por, ka diçka që është përgatitur këtu nga gratë në ato kohëra të lashta dhe kanë ndjekur njëfarë tradite dhe zakone, te ne p.sh. është pogaçja kosovare, e cila përgatitet gjithherë, do të thotë përgatitet kur lind fëmija, kur ka dasmë, kur ka festë, kur kemi të gjithë ato festa fetare, dhe për fat të keq edhe kur kemi varrim, kur mbaron ai shekull jetësor, është përsëri e njëjta pogaçe në atë histori, pitet e Kosovës, pitja e Kosovës meqë ra fjala nuk është harruar, është përpeqi apo pitja me qumësht dhe me veze dhe sarma klasike edhe ju përgatisni sarma njëjtë, speca te mbushur, xhyveq nga ëmbëlsirat, tatlija, oblande, por me atë fillin e vjetër qe zihet shumë gjatë me qumësht e sheqer, dhe kifle te ndryshme, baronica te ndryshme si i quajmë ne këtu. Prandaj, të gjithçka këto përgatiten këtu dhe kështu në fakt e ruajmë atë tradite dhe tashme kemi filluar të kemi vajza të reja të interesuara t’i mësojmë, kjo thjesht përcillet brez pas brezi”, tregon ajo.  

As Gordana nuk u mbështet nga institucionet për këtë biznes, me ç’rast, thotë se përveç vullnetit nuk kanë mundësi të mëdha.

“Filloi shumë mirë, por sfidat tona ishin të mëdha, mendoj se gjëja më e vështirë për mua ishte si ta paketoja atë ushqim, si ta shpërndaja, sepse ne nuk e imagjinonim si restorant, por vetëm që njerëzit të vinin të merrnin atë ushqim dhe të ikin. Përndryshe ky është një mjedis patriarkal, kështu që gratë e kishin më të lehtë të punonin në një vend të tillë, ku nuk janë kameriere, më kuptoni, nuk janë nëpër restorante, por janë të pavarura dhe nuk kishte ndonjë mbikëqyrës, por të gjitha jemi të barabarta. Pas kësaj, ishte gjithashtu shumë e vështirë si të formohej çmimi, nuk e dini se sa të paguani për atë shërbim sepse vetë materiali nuk ishte aq i shtrenjtë, sa e shtrenjtë ishte koha jonë, ai investim i asaj energjie dhe dashurie dhe gjithçka për ta bërë një vakt i tillë, kështu që sfidat ishin vërtet të mëdha”, shton ajo.

Dëshira e gruas serbe nga Graqanica është që biznesi i saj të zgjerohet dhe të punësojë edhe gra të tjera.

“Që Kateringu të funksionojë me kapacitet të plotë, ajo që kemi parë që na nevojitet përveç pajisjeve të kuzhinës, të cilat, për shkak të standardeve të përgatitjes së ushqimit dhe pastërtisë ku bëhet ushqimi, duhet të jenë prokromik. Do të na duheshin vitrina frigoriferike, kur është nxehët këtu nuk janë temperaturat e përshtatshme, kështu që një lloj pajisje ftohëse për këtë, do të na duheshin shumë gjëra. Ne kemi parë gjatë një viti e gjysmë që në fakt njerëzit kërkonin më së shumti që t'u dërgohej ushqimi, pra dërgimi i atij ushqimi në adresë, do të sillte me vete, përveç asaj që është mirë, është edhe një vend i ri pune, dikush që do të shpërndante porositë , por përsëri edhe mjeti, me të cilin do t’i shpërndajmë ushqimet në mënyrë të sigurt nga këtu në vendin ku kanë porositur ushqimin”, përfundon ajo.

Afër Gordanës jeton edhe Elida Avdullah, e cila është rritur me recetat e gjyshes dhe nënës së saj. Ajo tashmë ka trashëguar të gjitha këto, duke i kthyer në një biznes të saj personal.

Ushqimet tradicionale të gruas gorane shiten me porosi nga Graqanica e kudo në Kosovë.  

“Po, unë kryesisht punoj me porosi, varet kush çka kërkon dhe pastaj atë e bëjë. Përndryshe, kohët e fundit jemi duke punuar më shumë me torta, kemi kërkesa është për shkak të ditëlindjeve dhe dasmave të ndryshme dhe atë që kërkojnë klientët ne e bëjmë, por vitet e fundit po ndjehet një trend në rritje, që njerëzit po kërkojnë ashtu të them receta të harruara. Kërkojnë mashica, kërkojnë indianka, klere, sepse këto ëmbëlsira janë disi më të shëndetshme, sepse kanë vetëm miell, sheqer, vaj dhe vezë, nuk kanë shtesa dhe me pas disa breza te vjetra kërkojnë më shumë këto receta të vjetra”, tregon ajo për KosovaPress.

Nga duart e Elidës, më së shumti po porosisin gratë, të cilat janë në punë dhe e kanë të pamundur të përgatisin ushqime.

“Po vështirë, në fillim është e vështirë, normalisht, ka shume konkurrencë, duhet te shtyhesh disi ashtu të them, por disi filloi e gjitha, ne në fëmijëri nënat tona gjithherë këto i kanë përgatitur, ne gjithherë i kishim në shtëpi, pas shkolle kur vinim gjithherë kishte ndonjë ëmbëlsirë, diçka për të ngrënë, sepse nuk kishte shume për të blerë si këto çokollatat si sot dhe të zgjedhim se cilën kjo nuk na pëlqen kjo me pëlqen, por atë që na përgatitnin nënat ne atë e hanim. Dhe është e vështirë, është thjesht e vështirë, çmimet diktojnë shumë, dhe së fundmi, mund të shihni, jo vetëm prodhimet që përdorim në ëmbëlsira dhe byrekë janë shtrenjtuar, por gjithçka është shtrenjtuar, vezët janë shtrenjtuar, sheqeri, vaji, gjithçka transporti dhe kutitë që përdorim kudo ka rritje të çmimit, kështu që është e vështirë të kalosh, por ka gjithmonë fqinjë, rrethi, miq, blejnë”, shprehet Avdullah.

Sadije Haliloviç nga Gurakoci i Istogut, nisi biznesin e saj me vetëm tri lopë, ku tashmë numëron shumë sosh. Ajo shet në masë të madhe djathë të lopës dhe deleve.

“Zor ka qenë boll, kushtet pak krejt pak, por jemi munduar ashtu që fëmijët t’i shkollojmë... Kena djathë bëjmë të deleve, lopëve, pa mazit qysh porositin... Tash i kemi 120 dele, gjashtë lopë e ashtu duke u munduar, punojmë... Shumë zor, shumë se unë i kam krejt meshkuj në shtëpi, unë jam një grua”, tregon Haliloviç.

Produktet e Sadijes, e cila është boshnjake kanë filluar të eksportohen edhe jashtë vendit, por me vështirësi.

“Kemi nevojë tash ta rrisim biznesin, të na ndihmojë qeveria se nuk i kemi bash kushtet me thënë se kemi kafshë më shumë. Edhe për një punëtor... Unë krejt këto i punoj vet, ka qenë mirë me pas një punëtore që të na ndihmojë qeveria”, përfundon ajo./Sh.Pajaziti/

Shënim: Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit: "Promovimi i bizneseve të grave që prodhojnë ushqime të shëndetëshme", i cili zbatohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim/CFID dhe i financuar nga: Agjencia Slovake për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar/SlovakAid.

This image has an empty alt attribute; its file name is sllovakia-pro.jpg
https://kosovapress.com/%e2%80%8bbiznesi-i-turshive-grate-qe-me-forca-te-veta-depertuan-edhe-ne-tregun-nderkombetar/?fbclid=IwAR1ci1Pilm9qnjY3vMChxGKH2iXPMPIgvB1a-CFYrg78dHC-SjRuUWUA0tM
https://kosovapress.com/%e2%80%8bsfidat-e-grave-ne-biznesin-e-kultivimit-te-cajit-bio/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024