Grafite të shumta me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes, të shkruara tek cepi verior i urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë, provokojnë tejmase qytetarët shqiptarë, sidomos ata të cilët frekuentojnë për çdo ditë këtë urë.
‘Ratko Mlladiq hero i popullit’, ‘Do ta shpërthejmë murin’, ‘Kosova është zemra e Serbisë’, të shkruara në alfabetin cirilik të serbishtes, janë vetëm disa nga mbishkrimet, për të cilat qytetarët shqiptarë thonë se duhet të shlyhen sa më parë nga institucionet, sepse janë provokuese për ata, shqetësuese dhe nxisin urrejtje. Asllan Zogu, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë për KosovaPress, se institucionet komunale, në të cilat tashmë janë shqiptarët në atë pjesë, por edhe ato qendrore, duhet t’i shlyejnë sa më parë këto grafite, sepse janë provokuese.
Ndërkaq, Bardhyl Dobroshi, drejtor i organizatës joqeveritare ‘Futja ngjyrë’, në Mitrovicë, organizatë kjo e cila shquhet për murale të bukura me mesazhe për paqen, bëri të ditur se ato grafite meqë janë të shkruara në mermer, është më mirë të pastrohen dhe shlyhen me ujë. Sipas tij, nganjëherë me ngjyrë vetëm sa prishen gjërat.
Në anën tjetër, Veton Elshani, ushtrues i detyrës së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, tha se policia ka hapur shumë raste për mbishkrime të tilla në mbarë veriun e vendit. Ai shtoi se deri tani nuk është arrestuar askush për këto grafite tek ura e Ibrit.