Vendosja e grafiteve në katër komunat veriore me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”, po shihen si shqetësuese nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Pozitë dhe opozitë thonë situata në veri, mbetet e brishtë për shkak të tendencave të Serbisë që përmes grupeve të caktuara të destabilizojë situatën atje.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se paraqitja e grafiteve të reja në veri është marrë me shqetësim dhe seriozitet nga organet kompetente të sigurisë. Sipas saj, të gjitha informacionet tregojnë se Serbia asnjëherë nuk është ndalur për të destabilizuar veriun e vendin.
Megjithatë, ajo nuk pranoi të shpalos detaje për pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, ku qëndroi gjatë javës së kaluar.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke folur për pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Kurti, tha se profesionalizmi i institucioneve të Kosovës nuk është me rrjedh lajmi në media, por në identifikimin e autorëve. Sipas tij, është për keqardhje që një lajm i tillë u demantua nga institucionet e Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, Tahiri deklaron se agjenda armiqësore e Serbisë dhe presidentit Vuçiq nuk do të ndalet asnjëherë për destabilizimin e Kosovës.
Këto komente ata i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që gjatë kësaj jave të mbahen tri seanca plenare.
Në anën tjetër, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të iniciojnë themelimin të dy komisioneve hetimore parlamentare, njëra për kontratat njëburimore dhe tjetra për tekstet shkollore.
Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bëri të ditur se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ligjin për sigurime shëndetësore.