Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë më 22 nëntor 2023, duke thënë se autoritetet e drejtësisë nuk do të lejojnë që krimet të mbesin pa u ndëshkuar dhe se vendi i kriminelëve është burgu.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë.
Policia konfirmon vrasjen e një grabitësi, arrestohen shtatë persona - KosovaPress
Postimi i plotë:
Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti.
Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intensive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre.
Dy zyrtarëve policorë, të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti iu uroj shërim të shpejtë.
Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë.