Qyteti i gurtë i Gjirokastrës ka zgjuar kuriozitetin e mijëra turistëve vendas e të huaj gjatë këtij sezoni turistik.
Turistët vendas e të huaj po gjallërojnë kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.
“Janë mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë këtij viti kanë vizituar Gjirokastrën dhe rrethinat, duke regjistruar ndër shifrat më të larta në vite. Pra ky sezon veror po e evidenton Gjirokastrën si një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe me gjerë”, tha Golemi.
Golemi u shpreh se tashmë qyteti pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s është një markë e njohur për turizmin ndërkombëtar duke e kthyer në destinacion të preferuar krahas vendasve edhe për vizitorët nga mbarë bota.
“Të huajt zënë mbi 80% të vizitorëve të këtij viti në Gjirokastër, ndërkohë që harta prej nga vijnë është mjaft e larmishme. Qyteti i gurtë po mirëpret vizitorë nga Italia, Spanja, Greqia, Gjermania, vendet Skandinave, nga Evropa Perëndimore dhe Lindore por nuk mungojnë as turistët nga SHBA-ja, Brazili, Argjentina, Kina, Australia, etj, etj. Pra tashmë Gjirokastra është një markë e njohur dhe destinacion në rang botërore për sa i përket vizitueshmërisë nga turistët e huaj”.
Kryebashkiaku Golemi bëri të ditur se mbështetur mbi statistikat zyrtare bëhet fjalë për një rritje prej 35-40% të vizitueshmërisë nga turistët përgjatë sezonit veror krahasuar me vitet e e kaluara.
Sa i përket pikave kryesore turistike në Gjirokastër, që tërheqin më shumë turistë, Golemi tha se “guida e vizitueshmërisë që ofrohet është mjaft e larmishme duke përfshirë qytetin e gurtë të Gjirokastrës, por edhe rrethinat si dhe fshatrat e saj”.
“Në Gjirokastër turistët vendas dhe të huaj kanë çfarë të shikojnë dhe të prekin nga afër. Vlera të tilla historike dhe ndërtimore si Pazari karakteristik, Kalaja, komplekset muzeale, dhjetëra banesa të gurta me elementët e tyre të papërsëritshëm zgjojnë interesimin e turistëve të huaj. Guidën e vizitueshmërisë e pasurojnë edhe muzeumet, vlerat natyrore, objektet e shumta të trashëgimisë kulturore duke e bërë në këtë mënyrë udhëtimin jo vetëm njohës, por edhe për t’u informuar dhe mësuar diçka në lidhje me historikun dhe vlerat e qytetit shumëshekullor”, nënvizoi Golemi.
‘Ndërthurja e vizitës në bashkinë e Gjirokastrës edhe me vlerat dhe traditat e zonave të Libohovës, Dropullit, por edhe më gjerë me Përmetin, Tepelenën apo Sarandën e bëjnë mjaft të larmishëm dhe tërheqës udhëtimin për turistët”, shtoi ai.
Kryebashkiaku Golemi nënvizon se “tashmë turizmi është një sektor prioritar edhe për bashkinë e Gjirokastrës. Me zhvillimin që turizmi po merr duke përfshirë edhe dobishmërinë ekonomike të tij për komunitetin bashkia mes të tjerash ka synuar edhe promovimin e vlerave turistike duke i bërë ato të ditura për vizitorët kryesisht të huaj”.
Lidhur me masat që ka marrë bashkia për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Golemi sqaroi se “aktualisht në bashki funksionon një grup i veçantë punë për mbarëvajtjen e suksesshme të sezonit turistik. Në këtë mënyrë kemi koordinuar punën e strukturave lokale për një qytet të pastër, garantimin e sigurisë publike, evitimin e problematikave të qarkullimit rrugor kryesisht në pikat turistike e mbi të gjitha organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike në shërbim të zhvillimit të turizmit”.
“Të gjithë jemi dëshmitarë që gjatë sezonit të verës Gjirokastra është kthyer në qendër të organizimit të eventeve të tilla duke përfshirë ato me profil kombëtar apo ndërkombëtar , të cilat kanë promovuar vlerat artistike dhe kulturore, por mbi të gjithë kanë qenë elementë kyç për tërheqjen e turistëve. Pra e gjithë struktura e bashkisë, drejtoritë përkatëse, kanë koordinuar punën për t’i shërbyer ecurisë së suksesshme të këtij sezoni turistik”, tha Golemi.
“Investime të tilla ndërmorëm në bashkëpunim me ministritë e linjës për zbatimin e projekteve për rijetëzimin e banesave karakteristike, mjedisin e pastër, etj. Bashkia Gjirokastër edhe në këtë sezon veror është çdo ditë në shërbim të qytetarëve me investime dhe shërbime. Punojmë për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në qytet dhe zonat rurale, investimet në sektorin e bujqësisë dhe agroturizëm, mjedisin e pastër, kulturë, objektet sportive, ndërtimin e mjediseve çlodhëse në qytet dhe fshatra, etj”, tha Golemi, transmeton ATSh.
Për kryebashkiakun Golemi investime të tilla ju shërbejnë jo vetëm banorëve, por edhe vizitorëve vendas dhe të huaj dhe zhvillimit në tërësi të turizmit të qëndrueshëm.