Kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola, ka deklaruar se bart përgjegjësi të plotë lidhur me vonesën e Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Ai ka deklaruar se ndonëse kishte premtuar realizimin e këtij ligji më herët, moria e zhvillimeve e kishin vendosur në një pozicion të pasigurt.
“Po, unë barti absolutisht përgjegjësinë politike dhe publike për vonesën. Nuk i atribuohet absolutisht mazhorancës si tërësi, aq më pak Ministrisë. Unë kam bërë premtim publik që nëse s’gaboj kur është mbajtur dëgjimi i parë publik në rektor, kam premtuar që qershori, eventualisht korriku, nëse nuk gaboj e kam dhënë si afat shtesë shtatorin ose tetorin për të kaluar, por kanë ndodhur një mori zhvillimesh e të cilat më kanë vendosur në një pozicion të pasigurt, dhe pashmangshmërisht më kanë vendosur në një pozicion ku duhej të isha shumë më i kujdesshëm në mënyrën se si duhet të formulohen dispozitat juridike të ligjit.”, ka deklaruar Gola.
“Më ka interesuar të krijohet një agjenci që nën 1, i shmanget vendimeve arbitrare duke instaluar në ligj siguresa politike, dhe nën dy, një agjenci e cila fiton imunitetin e mjaftueshëm institucional për t’i përballuar ndikimet nga jashtë”, ka deklaruar ai, gjersa ka theksuar se aty “duhet të mbizotërojë profesionalizmi, këto vonesa kanë ardhur për shkak të saj”./RTV Dukagjini