Policia e Kosovës ka arrestuar 234 persona dhe ka konfiskuar 77 revole dhe 13 armë të gjata brenda një muaji, në kuadër të zbatimit të urdhrit operativ “Goditja”.
Policia e Kosovës njofton se që nga 8 gushti i këtij viti, kur ka filluar së zbatuari urdhri në fjalë, e deri më 6 shtator 2023, nga zyrtarë policorë të angazhuar në zbatim të ‘Goditjes’, numri i patrullimeve në zona urbane ka qenë 14417 patrullime, numri i pikave të kontrollit të automjeteve 12511, prej tyre 3274 me radar ose alkool-test.
“Detyrat që parashiheshin të realizoheshin në zbatim të urdhrit në fjalë janë shtimi i patrullimeve policore, kontrollimi i veturave, lokaleve e personave me qëllim që të gjinden, konfiskohen e procedohen rastet kur ka armëmbajtje pa leje, prishje të rendit e qetësisë publike dhe iniciohen raste tjera penale, përfshirë arrestimin e personave të përfshirë në raste penale”, thuhet në komunikatë.
Policia e Kosovës njofton se me qëllim të shtimit të masave të sigurisë në pjesët urbane të vendit, në pjesët ku ka prezencë më të madhe të qytetarëve (lokale hoteliere, bare nate, kafiteri etj), ka hartuar dhe zbatuar një urdhër operativ (UO “GODITJA”).