Goditen katër grupe kriminale në Elbasan, arrestohen 45 persona
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Policia e Elbasanit ka zhvilluar një megaoperacion, me ç’rast janë goditur katër grupe kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Njëri prej grupeve kriminale është shkatërruar plotësisht.

Përmes një deklarate për media, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Ilir Proda, së bashku me Prokurorin e Rrethit, Kreshnik Ajazi, kanë dhënë detaje mbi megaoperacionin policor antidrogë të koduar “Rrjeti”, me ç’rast, janë ekzekutuar 52 urdhër ndalimi të prokurorisë, me 45 të arrestuar dhe 7 persona të shpallur në kërkim.

Policia ka njoftuar se për realizimin e megaoperacionit policor të koduar “Rrjeti”, është kryer një punë hetimore 3 mujore me metoda proaktive.

“Gjatë megaoperacionit të sotëm, i cili u shtri në Elbasan, Cërrrik, Peqin, Belsh, Librazhd, Përrenjas dhe Pogradec, u angazhuan 490  punonjës policie dhe 5 dronë, si dhe u kontrolluan 52 banesa dhe 18 lokale. Si rezultat i kësaj pune policore, janë ekzekutuar urdhrat e prokurorit, duke u ndaluar 45 shtetas dhe 7 te tjerë janë shpallur në kërkim, konkretisht janë ndaluar shtetasit J. H., D. N., H. S., A. V., E. D., L. N., E. S., G. P., G. Sh., F. D., G. B., R. K., F. S., A. K., D. D., F. P., S. S., E. P., R. I., Sh. M., E. H., A. G., A. B., E. H., I. K., S. I., K. I., I. M., H. Gj., Xh. Gj., E. H., L. T., A. Gj., E. L., Xh. Ll., A. Ll., O. Ç., S. Ç., Xh. B., T. N., A. S., R. B., R. K., F. D. dhe M. H., si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit E. T., H. H., E. S., S. K., A. B., M. B. dhe M. K.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi, Gjykata e Elbasanit, në bazë të kërkesës së prokurorit, ka nxjerrë vendim për lejimin e kontrollit të ambienteve të banimit dhe bizneseve të ndryshme, të 28 subjekteve”, ka bërë të ditur kreu i Drejtorisë së  Policisë së Elbasanit, Ilir Proda.

Sipas tij, gjatë kontrolleve në këto ambiente, Policia ka gjetur dhe sekuestrur në cilësinë e provës materiale: 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni, fara kanabisi, një armë zjarri model 56, sasi municoni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, silenciatorë, armë të ftohta, një shumë të madhe parash prej 51 milionë lekësh, 15 mijë euro, si dhe një shumë frangash zviceriane.

“Nisur nga provat materiale të sekuestruara, janë arrestuar në flagrancë edhe 5 shtetas të tjerë, pjesëtarë të këtyre grupeve kriminale, konkretisht shtetasit: R. N., E. T., M. P., G.  Gj. dhe F. B. Njëkohësisht, janë proceduar në gjendje të lirë 29 shtetas, për të cilët vijon puna hetimore, me qëllim dokumentimin e veprimtarive kriminale të kryera prej tyre”, ka thënë Proda, shkruan Atsh. Ai ka shtuar se shtetasit në fjalë prej disa vitesh kanë ushtruar veprimtaritë kriminale në fushat e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, armëmbajtjes pa leje dhe pastrimit të produkteve të veprës penale

“Ata vepronin të ndarë në disa grupe kriminale dhe kishin ndarë gjithashtu edhe zonat e influencës ku e ushtronin veprimtarinë e tyre kriminale. Gjatë analizës kriminale të shtetasve për të cilët sot u ekzekutuan urdhrat e ndalimit, si dhe të personave të shpallur në kërkim, rezulton se: 11 prej tyre kanë qenë të dënuar dhe më parë për krime të kryera në fushën e narko-trafiqeve, ndërsa 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale”, ka shtuar Proda më tej.

“25 prej tyre kanë qenë të skeduar në vite, nga strukturat e hetimit të krimeve, për përfshirje në veprimtari kriminale, ndërsa 27 janë skeduar vetëm gjatë këtij viti. Vlen të theksohet fakti që 10 shtetas janë pjesë e grupeve kriminale, për shkak të mënyrës së bashkëpunimit dhe sjelljes se tyre gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale.  Si rezultat, është goditur plotësisht një grup kriminal dhe janë goditur pjesërisht 3 grupe të tjera kriminale”, ka nënvizuar Proda.

Kreu i Policisë Vendore të Elbasanit ka bërë të ditur se hetimi i thelluar është në vijim, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre grupeve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

https://kosovapress.com/admin/policia-e-shqiperise-sekuestroi-41-7-kg-heroine-39-000-euro-dhe-arme/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024