GLPS reagon: Projektligji për zyrtarët publikë të dërgohet në Kushtetuese
Lajme
Lexohet për: 3 min.
GLPS reagon: Projektligji për zyrtarët publikë të dërgohet në Kushtetuese
Foto Ilustruese
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar për miratimin në lexim të dytë të plotësim ndryshimeve të Projektligjit për zyrtarët publikë. Sipas GLPS-së ky projektligj lejon hapësirë që pozitat me Ushtrues Detyre të mbahen në kohë të gjata siç është bërë praktikë kohëve të fundit. Për këtë GLPS bënë thirrje që projektligji i tillë të dërgohet në Kushtetuese për interpremtim.

“GLPS i bën thirrje të gjitha palëve kompetente që të dërgojnë projektligjin e miratuar në Gjykatën Kushtetuese. Ky është një hap i domosdoshëm për të siguruar që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

GLPS vlerëson se në projektligjin e dërguar nga Qeveria në Kuvend në qershor, afati për mbajtjen e pozitave me ushtrues të detyrës ka qenë dy vjet.

“Në procedura parlamentare është shtuar një amendament i cili është integruar në ligjin e miratuar dje, ku afati për mbajtjen e pozitave me ushtrues të detyrës ka ndryshuar nga 2 vite sa ishte propozuar fillimisht në 1 vit por me mundësi zgjatje pa ndonjë kufizim kohor nën kushtin ligjor nëse procedurat e rekrutimit janë shpallur por që për arsye objektive pozita nuk është plotësuar. Ky rregullim lejon hapësirë që pozitat me Ushtrues Detyre të mbahen në kohë të gjata siç është bërë praktikë kohëve të fundit. Kjo praktikë negative tash e ligjësuar edhe me ligj i jep mundësi dhe nxit politikën ditore për të mbajtur në pozita të lira ushtrues detyre me “nëpunës civil të përshtatshëm” duke minuar komplet mekanizmin e rregullt ligjor për plotësimin e këtyre pozitave në pajtim me rregullat dhe procedurat që garantojnë meritokracinë”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

Sipas GLPS-së disa nga çështjet kryesore të ngritura nga kjo organizatë në qershor të këtij viti janë ende valide edhe për projektligjin e miratuar dje në Kuvend.

“Për rikutjim, GLPS ka konstatuar se ky projektligj nuk ka ndjekur Urdhërin e përcaktuar në pikën 12 të Aktgjykimit Nr. ref.: AGJ 2262/23 të Gjykatës Kushtetuese të lëshuar në shtator të vitit të kaluar. I njëjti përjashton nga fusha e veprimit disa institucione tipike të cilat duhet të jenë pjesë e fushëveprimit të këtij ligji. Shqetësuese mbetet edhe heqja e pragut minimal që së paku 2 kandidatë duhet t`i plotësojnë kushtet për Nivelin e Lartë Drejtues, gjë që rezulton me cenim të konkurrencës, si shtylla kryesore e meritokracisë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, GLPS ka ngritur shqetësime edhe në lidhje me listën e pritjes, ku përmes këtij projektligji institucionit përkatës i mundësohet që t’i pranojë nëpunësit civil tepricë në mënyrë diskrecionale dhe pa asnjë detyrim ligjor, gjë që mund të rezultojë me largim masiv të shërbimit civil si pasojë e mosveprimit të institucionit dhe kalimit të afatit 9 mujor të përcaktuar në paragrafin 5 të nenit 67 të po këtij projektligji.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024