Gjylameti në Asamblenë Parlamentare të KiE-së: T’i hapet rrugë anëtarësimit të Kosovës
Lexohet për: 4 min.
800-0-61797f0aefecb
1 vit më parë
Linku u kopjua

Depuetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti bëri thirrje sot që t’i hapet rrugë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës dhe në të gjitha organizatat e tjerë europiane.

Në fjalën e saj në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Gjylameti nënvizoi se historia ka treguar se çdo hezitim ka sjellë pasoja negative, aq më tepër kur në këto momente forca të errëta presin për të krijuar dhe mbajtur gjallë konflikte në Ballkan.

“Zhvillimet e fundit në Kosovë dhe tensionet e krijuara nga nxitje nga jashtë, e bëjnë edhe më të ngutshme anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çdo hezitim duke lënë Kosovën jashtë, vetëm sa do të krijonte hapësira boshe, ku grupe kriminale dhe të paguara nga jashtë, do të bënin përpjekje për të mbajtur të gjithë rajonin në tension të vazhdueshëm”, tha ajo.

Sipas Gjylametit, bashkëpunimi ekonomik dhe politik, qarkullimi i lirë i njerëzve dhe i mallrave janë rruga e duhur për të parë nga e ardhmja.

“Ngjarjet e së shkuarës që ndodhën në rajon, duhet të jenë një mësim i vyer për të mos përsëritur gabimet. Ballkani është në zemër të Europës, dhe ndaj duhet parë si pjesë integrale e tij dhe jo si një shtojcë. Historia ka treguar se çdo hezitim ka sjellë pasoja negative, aq më tepër kur në këto momente forca të errëta presin për të krijuar dhe mbajtur të gjallë konflikte në Ballkan. Është koha për të parë së bashku nga e ardhmja, dhe jo për tu rikthyer tek politika vetëpërjashtuese dhe zjarrvënëse”, tha Gjylameti.

Në fjalën e saj në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Gjylameti foli dhe mbi tensionin e fundit Prishtinë–Beograd.

“Kosova dhe Ballkani në përgjithësi kanë nevojë për vëmendje te vazhdueshme për të ecur përpara dhe jo të shihen vetëm si ndezës së barutit në Evropës. Edhe ngjarjet e fundit në veri të Kosovës të nxitura nga jashtë, tregojnë qartë se forca të errëta nacionaliste që nuk janë shkëputur nga politika e Sllobodan Millosheviçit duan ta mbajnë nën tension të vazhdueshëm gjithë rajonin. Krahas nacionalizmit, të gjithë e dimë që paqen dhe zbatimin e ligjit që institucionet në Kosovë po përpiqen të vënë nuk e duan ata politikanë që duan ta shndërrojnë kufirin me Kosovën në një strehë për ata që janë nën sanksione evropiane.

Bandat e veriut të Kosovës të paguara, të mbështetura, të nxitura, dhe të krijuara nga kriminelë lufte nuk e pëlqejnë vendosmërinë me të cilat institucionet në Kosovë po përballen për të vendosur shtetin ligjor”, deklaroi ajo.

Gjylameti shtoi se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës nga disa grupe serbe janë një tjetër shembull se si ende hije të së shkuarës duan që të marrin peng të ardhmen e Kosovës.

“E teksa ne flasim sot këtu, tek shumë shqiptarë të Kosovës ka jo pak mërzitje teksa shohin se si ata që nxitën luftën dhe kryen krime kudo në Ballkan luajnë rolin e viktimës, ndërkohë ata që luftuan për paqe dhe për liri gjenden në burgjet e tribunalit të Hagës. Nuk mundet kurrsesi të barazohen kriminelët e luftës, ata që përdhunuan gra dhe vranë fëmijë e të moshuar të pafajshëm, me ata që luftuan për ta ç’prangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbuluar me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës. Të gjithë jemi dëshmitarë se si qytetarët e zakonshëm serbë dhe shqiptarë në Mitrovicë duan të jetojnë në paqe së bashku, dhe anëtarësohen në familjen evropiane. Por për fat të keq, grupe kriminale nga jashtë të nxitur dhe nga ngjarjet në Ukrainë, duan të rindezin zjarret e së shkuarës për të destabilizuar Kosovën dhe gjithë Ballkanin. Ngritja e barrikadave dhe krijimi i tensioneve artificiale duke sulmuar autoritetet e zbatimit të ligjit, të KFOR-it dhe të EULEX, rrezikon paqen dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”, deklaroi ajo./atsh

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024