Vetëm një ditë pas përvjetorit të parë të sulmit terrorit në Banjskë të Zveçanit, pritet të nis gjykimi ndaj 45 të akuzuarve. E ky proces gjyqësor nga juristët po vlerësohet kompleks por edhe sfidues për drejtësinë vendore.
Numri i madh i të akuzuarve të përfshirë në aktakuzë, por edhe vështirësia për t’i sjell në gjykatore 42 të akuzuarit, po konsiderohen sfida të cilat do e përcjellin këtë proces gjyqësor.
Për juristin Artan Çerkini të vështirë këtë proces e bënë edhe llojllojshmëria e veprave penale që dyshohet se janë kryer nga terroristët serbë, por edhe plotësimi i kushteve ligjore për të proceduar në gjykimin në mungesë.
E ekstradimi i 42 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të cilët janë në arrati për Çerkinin është pak i besueshëm.Juristi Jashari konsideron se gjykimi në mungesë është vështirë i realizueshëm për të akuzuarit tjerë që janë në arrati.
Sipas tij, Serbisë duhet t’i bëhet presion ndërkombëtarë për dorëzimin e të akuzarëve tek autoritet kosovare.
Nga Oda e Avokatëve të Kosovës thanë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për përfaqësim në rastin gjyqësor për sulmin në Banjskë.
45 serbët e akuzuar në mesnatën e 24 shtatorit 2023, e sulmuan Policinë e Kosovë në Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri, Afrim Bunjaku, është plagosur një polic tjetër, si dhe janë lënduar disa të tjerë.
Ndërsa, më 11 shtator Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për 45 personat e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë. Në mesin e të akuzuarve kryesor është Millan Radojiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës së siguruar nga KosovaPress, ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Sot kur po shënohet përvjetori i parë i sulmit terrorist në Banjskë krerët shtetëror e ndërkombëtar kanë vizituar familjen e rreshterit, Afrim Bunjaku por edhe Banjskën aty ku ndodhi sulmi terrorist.
E thirrje që autorët e këtij sulmi të mbahen përgjegjës për krimin e kryer janë bërë si nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.