Gjykimi ndaj “Kobrës”, prokurorja: Faturat shkaku që çoi deri te konflikti tragjik
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Pikërisht për shkak të faturave filloi edhe konflikti, tha prokurorja speciale Florie Shamolli në shqyrtimin gjyqësor ndaj Dibran Hoxhës- Kobra, Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit lidhur me akuzat për vrasjen e Visar Cengut, më 3 janar 2023, në lokalin “Kobra City” në Prizren.
Ndërkaq, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, njëjtë siç kishin bërë edhe në seancën fillestare të mbajtur në mars të këtij viti.
Prokurorja Florie Shamolli tha se mosmarrëveshja dhe konflikti në mes të viktimës dhe të akuzuarve ndodhi për shkak të faturave.
Shamolli potencoi se në bazë të provave materiale dhe personale të siguruara gjatë fazës së hetimeve rezulton se të akuzuarit kanë kryer veprat penale sipas akuzës.
Ajo u shpreh e bindur se “gjykata pas analizimit të çdo prove veç e veç, do të bindet se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen, do t'i shpallë fajtor dhe do t’i dënojë sipas ligjit".
Edhe të akuzuarit e tjerë Susuri, Vezaj, Mazreku, Badalli u deklaruan të pafajshëm.
Familjari i personit të vrarë në incidentin e janarit 2023, Behar Cengu tha se është ushtar dhe se armën nuk e përdorë “në vëllain e vetë”.
Në shqyrtimin gjyqësor, i akuzuari Dibran Hoxha kërkoi që në lidhje me rastin të lajmërohen dëshmitarët e pranishëm në rastin e incidentit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj Dibran Hoxha, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, për vrasjen e një shtetasi të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.
“Kobra”, akuzohet për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje, pasi thuhet se nga koha e pacaktuar e deri më 3 janar 2023, në lokalin e tij ka mbajtur një pistoletë gjysmë-automatike, me një karikator me 13 fishekë, të cilin e ka përdorur për të kryer veprën penale, si dhe një pistoletë tjetër me një karikator me 8 fishekë.