Mbi 1300 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që kanë bërë padi në vitin 2012 lidhur me pagesën e vikendeve për punëtoret me ndërrime, Gjykata Themelore të premten ka urdhëruar përmbarimin e mjeteve financiare prej 3.3 milionë nga KEK-u për transferimin e parave te punëtorët të cilët kanë fituar të drejtën.
Këtë vendim gjyqësor e ka mirëpritur kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, i cili konfirmoi për KosovaPress se Gjykata Themelore ka urdhëruar përmbarimin e mjeteve financiare nga KEK-u.
KosovaPress ka raportuar muaj më parë se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), nuk po e zbaton një vendim të Gjykatës Kushtetuese tash e mbi pesë muaj për t’ua paguar 3.3 milionë euro mbi 1,300 punëtorëve të saj.
Punëtorët e KEK-ut presin të marrin mesatarisht nga 3 mijë 500 euro secili për punën e kryer gjatë ditëve të vikendeve, e të cilat nuk iu ishin paguar më parë.