Gjykata Themelore e Ferizajt më transparentja për publikimin e vendimeve
Lexohet për: 4 min.
fol
1 vit më parë
Linku u kopjua

Prej mbi 97 mijë lëndë të zgjidhura në gjykatat e Kosovës , vendimet e mbi 34 mijë lëndëve ose rreth 36 për qind, janë publikuar.

Kështu thonë të gjeturat e monitorimit të publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022 i realizuar nga Lëvizja FOL sipas të cilit po ashtu  numri i publikimeve të vendimeve të lëndëve të zgjidhura nga gjykatat për vitin 2022 është rritur për 41% krahasuar me vitin 2021.

Nga ky monitorim i FOL “Çmimi për Gjykatën më Transparente” – për dedikim në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore i është ndarë Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli u shpreh se nga viti 2019 kur kanë nisur monitorimin e publikimit të aktgjykimeve sot numri i tyre ka shkuar në 100 mijë.

“Në vitin kur ne kemi filluar monitorimin  ishin  publikuar vetëm 10 mijë aktgjykime në web faqen e KGJK-së, ndërsa sot nga ajo kohë është vërejtur një rritje e thekuar e publikimit të aktgjykimeve duke përfshirë edhe rritjen e cilësisë së aktgjykimeve të publikuara sot kemi mbi 100 mijë aktgjykime të publikuara në web faqen e KGJK-së“, tha ajo.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj u shpreh se rezultat e këtij monitorimi flasin për progresin që sitemit gjyqësor ka bërë në aspektin e transparencës.

Ai theksoi se me qëllim të rritjes së transparencës dhe publikimit të vendimeve të lëndëve të zgjidhura do të rrisin edhe numrin e zyrtarëve për informim.

Drejtoresha e INL në Kosovë, Tamra Greig u shpreh e impresionuar me ngritjen e transparencës në sistemin gjyqësor sa i takon publikimit të vendimeve.

Ajo tha se ky është një hap përpara për të plotësuar demokracinë dhe tregon se po përmirësohet niveli i transparencës në Kosovës për sektorin gjyqësor.

“Ka qenë të impresionuar me numrin e rritur  të publikimeve në 41% në rritje që do ta konsideroja si një sukses të madh... Transparenca i mbanë zyrtarët përgjatë gjithë sektorit gjyqësor përgjegjës dhe përgjegjësia dhe llogaridhënia krijon besimin. Kjo rritje e vogël është një hap përpara për me plotësuar demokracinë e plotë. Ky publikim është një shembull tjetër i përmirësimit të Kosovës në transparencën në sektorin gjyqësor” ,u shpreh ajo.

Ndërsa, komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva theksoi se rritja e transparencës në sistemin gjyqësor përkthehet në realizim të të drejtës së qytetarëve për informim dhe llogaridhënie.

Hulumtuesja e Lëvizjes Fol, Albana Hasani u shpreh se nga janari deri në dhjetor të vitit të kaluar janë publikuar 3% e vendimeve të lëndëve të zgjidhura gjyqësore.

Hasani tha se numrin e vendimeve të publikuara prinë Gjykata e Apelit me 70%, pastaj ajo e Apelit me 50%, e pasuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt e cila ka publikuar gjithsej 46% të vendimeve të lëndëve të zgjidhura.

Sa i takon degëve të gjykatave prinë ajo e Kaçanikut me 61% të vendimeve gjyqësore të publikuar e pasuar nga e Malishevës me 53% dhe dega e  Rahovecit me 49% .

Sipas këtij monitorimi gjyqtarët e Gjykatës së Apelit dhe ata të Themelores në Ferizaj prijnë me numrin e vendimeve të publikuara për vitin e kaluar.

I pari renditet gjyqtari Mahir Tutuli me gjithsej 770 vendime të publikuara, i pasuar nga Liridon Maloku me gjithsej 639 vendime të publikuara.

Gjatë vitit të kaluar sipas raportit janë publikuar 92 vendime të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtarët dhe 462 vendime të dhunës në familje.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe të monitorimit zbatimi në përpikëri i vendimit të KGJK-së për Standardizimin e Formave të Vendimeve është evidentuar në 85% vendime të publikuara, dhe në 15% të vendimeve ka pasur ngecje të zbatimit të këtij vendimi.

Lëvizja Fol bazuar në rezultat e raportit  nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022  ka dal me disa rekomandime si të mos publikohen aktgjykimet e njëjta, të përditësohet web-faqja e KGJK-së me lajme dhe njoftime, të rritet numri I zyrtarëve për informim në gjykata ne fluks më të madh të lëndëve, të rritet publikimi I aktgjykimeve të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar./B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025