Gjyqtarët e Gjykatave Kushtetuese të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, së bashku me gjyqtarët e gjykatave supreme të të dyja vendeve, për dy ditë radhazi shkëmbyen pikëpamjet profesionale mbi rolin dhe ndarjen e kompetencave ndërmjet juridiksionit të gjykatave kushtetuese dhe gjykatave të rregullta në vendet reciproke.
Kryetarja e Kushtetutës së Kosovës Gresa Caka-Nimani, në prezantimin e saj hyrës vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit profesional dhe të shkëmbimit të ndërsjellë të përvojave ndërmjet gjykatave kosovare me ato homologe nga Shqipëria, si gjykata me përvojë më të gjatë dhe praktikë më të pasur gjyqësore.
Pas prezantimeve hyrëse të zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi dhe zëvendëskryetares së Gjykatës Supreme të Kosovës, Mejreme Mema, konferenca i vazhdoi punimet me fjalët me diskutimet e gjyqtarëve të katër gjykatave mbi teoritë e ndryshme të interpretimit kushtetues, parimin e subsidiaritetit dhe nevojën e interpretimit të ligjeve dhe të Kushtetutës në frymën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në konferencën e parë të këtij formati, organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës me përkrahjen e fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar “IRZ”, temë diskutimi dhe e trajtimit krahasimor ishte edhe divergjenca e praktikës gjyqësore të gjykatave të rregullta, zbatimi i plotë i vendimeve të gjykatave kushtetuese dhe konsolidimi i jurisprudencës vendore në harmoni me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.