Një gjykatë në Romë ka refuzuar urdhrat për mbajtjen e një grupi të migrantëve në qendrën e pritjes në Shqipëri dhe tha se ata kanë të drejtë të dërgohen në Itali.
Ky vendim paraqet një goditje për planin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të dërguar azilkërkuesit jashtë Italisë.
“Refuzimi për të vërtetuar mbajtjen në strukturat dhe zonat shqiptare... ndodh për shkak të pamundësisë për të njohur shtetin e origjinës të personave të ndaluar si shtet të sigurt”, tha kryetarja e gjykatës Luciana Sangiovanni përmes një deklarate, duke shtuar se migrantët “kanë të drejtë të sillen në Itali”.
Ky vendim vlen për 12 migrantët që gjenden në Shqipëri. Në Shqipëri mund të dërgohen vetëm migrantët nga një listë prej 22 shtetesh që Italia i ka cilësuar si shtete të sigurta. Egjipti dhe Bangladeshi janë në mesin e këtyre shteteve, por një vendim i fundit për këtë çështje i marrë nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë e bën të pamundur që ata të mbahen në Shqipëri, tha gjykata e Romës përmes një njoftimi.Shqipëria dhe Italia nëntorin e vitit të kaluar kanë arritur marrëveshje për strehimin e migrantëve. Marrëveshja parasheh që Shqipëria do të pranojë deri në 36.000 migrantë në vit.
Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit. Sipas marrëveshjes, procedurat për migrantët do të kryhen në dy qendra.
Italia ka thënë se do të pranojë t’i strehojë migrantët që fitojnë azil. Ndërkaq, ata që nuk fitojnë azil do të dëbohen direkt nga Shqipëria. /REL