Ulet dënimi për tre muaj për Gucatin dhe Haradinajn
Lexohet për: 4 min.
96121669976612-1
2 vite më parë
Linku u kopjua

Gjykata e Apelit ka vendosur të ulë dënimet për tre muaj për dy ish krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Sipas Apelit, dënimet e njësuara do të jenë me nga 4 vjet e 3 muaj burgim, duke u llogaritur kohën e qëndruar në paraburgim. Paneli i Apelit ka konfirmuar shumë prej pikave të aktgjykimit të shkallës së parë ku të akuzuarit ishin dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim dhe ka lënë në fuqi dënimin me gjobë prej 100 euro për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

Gjatë shqiptimit të aktgjykimit u bë e ditur se ata do të qëndrojnë në paraburgim deri në finalizimin e masave për transferimin e tyre në shtetin ku do të vuajnë dënimin.

“Anulon vendimin e njësuar prej 4 vjet e gjysmë burgim për zotin Gucati dhe zotin Haradinaj dhe cakton, me përjashtim të mospajtimit të gjykatësit Ambos, një dënim të njësuar me 4 vjet e tre muaj burgim për zotin Gucati dhe 4 vjet e tre muaj për zotin Haradinaj duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim. Lë në fuqi dënimin shtesë për zotin Gucati dhe Haradinaj me një gjobë prej 100eurosh. Vendos që ky aktgjykim të zbatohet me një efekt të menjëhershëm. Urdhëron që në pajtim me nenin 50 paragrafi 1 dhe rregullën 166, zoti Gucati dhe Haradinaj të mbetën në paraburgim deri në finalizimin e masave për transferimi e tyren ë shtetin ku do të vuajnë dënimin”, ka thënë kryetarja e turpit gjykues, Michele Picard.

Ajo ka bërë të ditur se Paneli lë në fuqi, me përjashtim të gjykatësit Ambos, verdiktin e fajësisë për Gucatin dhe Haradinajn për pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë sipas pikës 1 të aktakuzës.

“Paneli i Gjykatës së Apelit pranon 11,16, dhe pjesë përkatëse të arsyes 20 të apelit të zotit Gucati dhe pjesën përkatëse të arsyes 3 dhe pjesën përkatëse të arsyes 24 të apelit të zotit Haradinaj. Rrezohen apelet e zotit Gucati dhe Haradinaj në të gjithë pikat e tyre, pra pëson verdiktin e fajësisë së zotit Gucati dhje zotit Haradinaj për pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrëseve në veprimin e përbashkët të një grupi sipas pikës 2 të aktakuzës. Lë në fuqi verdiktin e fajësisë së zotit Gucati dhe zotit Haradinaj për frikësim gjatë procedurës penale sipas pikës 3 të aktakuzës, shkelje të fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedurë zyrtare sipas pikës 5 të aktakuzës, dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të pa autorizuar të identiteteve të të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, ka thënë ajo.

Gjykatësja ka thënë se Apeli nuk mund të shpërfillë faktet konkrete të kësaj çështje sipas saj të marra në bazë të kontekstit të kornizës ligjore në fuqi në Kosovë, dhe shkallëzimin e dënimeve në kodin penal të Kosovës.

Ajo ka shtuar se duke marrë parasysh peshën e veprave penale të të akuzuarve, Paneli i Apelit konstaton se trupi gjykues nuk gaboi në përcaktimin e dënimit të të akuzuarve mbi bazën e fajësisë së shpallur.

Në maj të vitit 2022 ishte shpallur aktgjykimi në shkallë të parë ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt të cilët u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, si dhe me nga 100 euro gjobë.

Të akuzuarit kishin apeluar vendimin dhe kishin kërkuar vendim shfajësues apo ulje të dënimit.

Gucati e Haradinaj janë arrestuar më 5 shtator të vitit 2020 dhe prej atëherë janë në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ish krerët e OVL-UÇK u shpallën fajtor për pengim të personave zyrtar nëpërmjet kërcënimit, për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të informacioneve të fshehta dhe për zbulim të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për një pikë të aktakuzës që është vepra penale e hakmarrjes.

Sipas Zyrës së prokurorit të specializuar, ata kishin zbuluar informacione të mbrojtura me qëllim që të zbulonin identitetin e dëshmitarëve të mundshëm të Dhomave të Specializuara./G.Kadrija

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025