Gjukanoviq: Qëllimi i ‘Ballkanit të Hapur’ është zhdukja e Kosovës
Lexohet për: 2 min.
Milo-gjukanoviq-2022-12
2 vite më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, tha se kryeministri Dritan Abazoviq “do të gjykohet nga votuesit, gjykatat dhe historia” nëse ai ndjek një politikë që është kundër interesave të Malit të Zi.

Gjukanoviq ka thënë për portalin “Vojvodina Autonomija” se Malit të Zi i është dhënë mundësia për të përparuar në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ka shtuar se ky shans është edhe një rrugë drejt anëtarësimit në BE. “Është logjike që Mali i Zi të jetë anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, sepse në rrjedhën aktuale të negociatave është shumë më përpara se të gjitha vendet kandidate. Përveç kësaj, nuk ka dyshime gjeopolitike, sepse ka harmonizuar politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në për disa vite”, tha Gjukanoviq.

Ai foli edhe për marrëveshjen që Abazoviq e nënshrkoi me Kishën Serbe, duke thënë se Serbia “mori një dhuratë nga ëndrrat e tyre historike” nga kryeministri i Malit të Zi. “Cilido qoftë motivi për këtë, asnjë organ shtetëror apo individ nuk do ta mund të shmangë përgjegjësinë historike”, tha Gjukanoviq. “Dhe më lejoni ta përsëris – Qeveria e Malit të Zi po përpiqet të legjitimojë gjithë këtë shkatërrim të Malit të Zi”, shtoi presidenti malazez.

Gjukanoviq e cilësoi projektin e “Ballkanit të Hapur” si “shumë konstrovers”, sepse tha se është skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë Bashkimit Evropian. “Ne nuk kemi nevojë për këtë, ne kemi nevojë për anëtarësim në BE”, tha ai. “Ata që nuk e shohin rajonin tonë në Evropë, nuk shohin as demokraci multietnike në Ballkan. Atyre u pëlqen ideja e ndryshimeve të kufijve, homogjenizimi etnik dhe fetar brenda shteteve të zgjeruara. Si zakonisht, çdo gjë nis tradicionalisht nga pala serbe, kësaj radhe ‘bota serbe’. Dhe kjo vazhdon automatikisht me të njëjtët zullumqarë të shtetit të madh”, tha Gjukanoviq.

Ai vlerësoi se qëllimi i autorëve të idesë së “Ballkanit të Hapur” është zhdukja e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe shtoi se sigurisht që do të përfundonte me “luftë dhe një gjenocid tjetër”./Alsat M/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025