Aktivistët e “Marshojmë s’festojmë” thonë të jenë gjobitur nga Policia e Kosovës për kundërvajtje për shkak të aksioneve që patën me 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Nëpërmjet një komunikate “Marshojmë s’festojmë” thonë që aksionet ishin paralajmëruar dhe janë pranuar nga Policia.
“Aktivistet/ët e Kolektivit ‘Marshojmë S’festojmë’ u njoftuan nga Policia e Kosovës se janë gjobitur për kundërvajtje për shkak të aksioneve simbolike të ndërrmara me 8 mars – Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Këto aksione janë paralajmëruar nga Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë” dhe janë pranuar nga Policia. Për çdo vit, marshi i 8 marsit po bëhet më i fuqishëm. Këtë vit, marshi i organizuar në Prishtinë, karshi organizimeve në qytete tjera, u bë më gjithëpërfshirës qoftë në terma të kërkimit të përgjegjësisë, grupeve të përfshira dhe mjeteve të protestës. Përgjatë trajektores së marshit i cili filloi tek Pallati i Drejtësisë, në kërkim të drejtësisë për gratë e vrara, aktivistet/ët ndërmorën aksione simbolike duke hedhur ngjyrë dhe duke bërë grafite në formë proteste. Këto ndërhyrje e përshkuan të gjithë rrugën, duke përfshirë këtu Këshillin Prokurorial, Policinë e Kosovës, Këshillin Gjyqësor dhe Qeverinë e Kosovës. Përkundër paralajmërimit dhe lejimit të të gjitha ndërhyrjeve simbolike, Policia e Kosovës ka vendosur që të na gjobisë, e gjithë kjo në vazhdën e policimit të organizimeve feministe në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Kjo gjobë sipas tyre është një akt hakmarrës nga Policia për shkak kritikës që patën ndaj tyre. Megjithëkëtë ata thonë se nuk do të zbrapsen.