Në Gjirokastër është çelur libri i ngushëllimeve për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. Në banesën muze të Ismail Kadaresë vizitat u shtuan që prej fillimit të javës. Të shumtë janë ata që kanë vendosur një koment në librin memorie të ngushëllimeve.
Nënshkruesit e komenteve janë nga vende të ndryshme të botës, lexues të tij por edhe bashkëqytetarë. Së shpejti bashkia pritet t’i dorëzojë këshillit bashkiak propozimin për ngritjen e një monumenti të shkrimtarit në qytetin e lindjes.
“Ne gjirokastritët përkulemi me mirënjohje para birit të këtij qyteti që ofroi kaq shumë. Iku Ismaili por ngeli Kadareja, në rrugët në sokakët, në shtëpinë muze. Kadare do ngelet, do ngelet vepra e tij, do ngelet ajo që ka shkruar për Gjirokastrën tonë. Unë besoj se do marr miratimin shumë shpejt të këshillit bashkiak, mbase për të sjellë një monument që duhet të zërë vend në Gjirokastër”, thotë kryetari i Bashkisë.
Ka nga ata që e njohën Kadarenë përmes librave dhe të tjerë që e zbuluan përmes kritikës letrare e publicistikës. Romanet “Kronikë në gur”, “Darka e gabuar” apo “Breznitë e Hankonatëve”, rrëfime identitare me në qendër Gjirokastrën dhe jetën e çuditshme brenda korracës së gurit u bënë pjesë e ndërgjegjes dhe krenarisë personale të çdo bashkëqytetari të tij.
Qyteti e ka nderuar Ismail Kadarenë me disa tituj por do t’i detyrohet përherë, fëmijës ëndërrimtar që vëzhgonte avionët nga një dritare e lagjes Palorto, e më pas mendimtarit të rrallë për pasaportën që i dha Gjirokastrës e Shqipërisë për t’i bërë të njohura në të gjithë botën./TopChannel