Gjilani konfirmon dy largime, ndër to edhe “legjenda e klubit”
Skuadra e Gjilanit ka konfirmuar sot largimin e Alban Hysenit dhe Sallah Sherifit nga pozitat e tyre në klub.
Gjilani njoftoi se ka liruar nga detyra Alban Hysenin për shkak të kërkesës së tij personale për t’u tërhequr momentalisht nga futbolli, raporton KosovaPress.
Hyseni ishte pjesë e stafit teknik të Gjilanit nga edicioni 2016/17, pasi ishte pensionuar nga futbolli. Si futbollist gjithashtu ishte pjesë e klubit për më shumë se një dekadë, duke qenë njëherit simbol i paharrueshëm me numrin “5”, i cili tashmë e sa kohë mbetet i varur në murin e klubit në nderim të karrierës së tij.
Pas Hysenit, largimi i radhës ishte Sallah Sherifi. Ky i fundit ka ushtruar funksionin e drejtorit sportiv në edicionin e fundit 2023/24. Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Gjilanit dhe Sherifit në detyrën e drejtori sportiv ka skaduar me t’u mbyllur edicioni 2023/24.
Sherifi edhe më parë ka ushtruar funksionin e drejtori sportiv në klub dhe gjithashtu ka qenë pjesë e shtabit teknik, si kryetrajner dhe asistent i parë.