Siç bëhet e ditur nga mediat shqiptare, Durrësi do të bëhet me akademi futbolli, ku këtë gjë e konfirmoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Raportohet se bëhet fjalë për kampionin anglez, Manchester City i cili do të hap një shkollë futbolli në Durrës, përcjell KosovaPress.
Ndërkaq, kur u pyet se a është skuadër angleze ajo që do ta ndërtojë akademinë dhe shkollën e futbollit në Durrës, Rama refuzoi të përmend emra por tha se është një nga skuadrat më të mëdha të botës.
“Do ta them në momentin që do ta firmosim sepse akoma nuk e besoj dot që do ta firmosim këtë marrëveshje. Dhe në qoftë se doni të bëni hamendje, keni deri sot në mbrëmje, mundësinë që të hyni në garë, ta bëni domethënë atë hamendjen tuaj. Do të bëjmë një short pastaj edhe 11 bluza të lojtarëve të preferuar të asaj skuadre, kush do të fitojë nga shorti, do t’i marrë të firmosura me dedikim, me emër, nga filani apo nga filani, kështu që është një nga skuadrat më të mëdha të botës, kjo nuk diskutohet”, tha Rama.