Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani është rritur dhe një mungesë e veçantë ndjehet në sektorin e ndërtimit, arsimit dhe shëndetësisë, njoftoi sot Instituti i Ekonomisë Gjermane (IW).
“Vitin e kaluar, mesatarisht 139.256 punëkërkues të përshtatshëm ishin të disponueshëm në 201.411 vende pune në sektorin e artizanatit”, sipas raportit të Institutit të Ekonomisë Gjermane.
Televizioni publik ARD raporton se ka shqetësime se mungesa e punëtorëve të kualifikuar mund të ngadalësojë procesin e përcaktuar politikisht të kalimit në burimet e rinovueshme të energjisë.
Shumë kompani nuk janë në gjendje të përmbushin porositë e klientëve që duan të instalojnë qeliza diellore ose pompa nxehtësie për shkak të mungesës së punëtorëve.
Sipas një raporti të IW, mungesa e fuqisë punëtore ndihet jo vetëm në zeje, por edhe në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Sindikata e Punonjësve të Arsimit (GEW) vlerëson se mund të ketë një mungesë prej 200.000 në sektorin parashkollor në pesë vjetët e ardhshëm dhe deri në 250.000 në sektorin e shkollave.