Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Nga kjo masë – të cilën Gjermania thotë se e mori në përputhje me veprimet e Brukselit – nuk preken “projektet me sektorin e shoqërisë civile, si dhe projektet që kemi filluar t'i zbatojmë”.
Në fund të muajit qershor, BE-ja njoftoi se kishte vendosur disa masa të përkohshme ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që Qeveria e vendit nuk ndërmori hapat e kërkuar nga blloku evropian për shtensionim të situatës në veri.
Në atë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën dhe protestimin e banorëve serbë.
Kosova ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap, pavarësisht thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar që t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe të organizojë zgjedhje të reja.
BE-ja pezulloi përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) - që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok - si dhe ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë.
“Ne dëshirojmë të theksojmë se të gjitha projektet e prekura [nga këto masa] mund të rifillojnë në çdo moment. Për këtë kërkohet zbatimi urgjent i masave të nevojshme për de-përshkallëzim të situatës në komunat në veri”, u bë e ditur në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë./Rel