Shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë gjatë vitit 2023 kanë mbyllur vitin shkollor me mungesë të numrit të nxënësve dhe migrim të mësimdhënësve. Numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën këtë vit ka shënuar rritje për afro 100 më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkaq, edhe më shqetësues konsiderohet fakti që mbi 1 mijë nxënës nuk e kanë vazhduar shkollën e mesme, për shkak të kushteve jo të mira ekonomike. Përveç kësaj, disa prej tyre në vend të shkollimit, zgjedhin që të punojnë qoftë në mënyrë të ligjshme ose jo.
Lidhur me braktisjen e fëmijëve në shkolla, koordinatorja për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi tregon se shifrat më të larta janë tek arsimi i mesëm i lartë, për shkak se nuk është arsim i obligueshëm.
Ajo tha për KosovaPress se braktisja e shkollimit paraqitet te klasat e 10-ta dhe të 12-ta dhe kjo është shqetësuese.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë për KosovaPress se numri i rasteve të nxënësve që braktisin shkollën është në rritje, teksa komenton edhe kërkesat e mësimdhënësve për pushime njëvjeçare. Ai thotë se duhet analizuar nëse këto kërkesa kanë qëllime për migrim të mësimdhënësve jashtë vendit ose jo.
Institucionet arsimore bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve duhet të kujdesen për pjesëmarrje dhe gjithë përfshirje në arsim cilësor, duke siguruar zhvillimin e fëmijëve brenda potencialit të plotë.