Gjendet trupi i pajetë i 25-vjeçarit që u zhduk në Liqenin e Batllavës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Gjendet trupi i pajetë i 25-vjeçarit që u zhduk në Liqenin e Batllavës
01/07/2026 - 13:04
Linku u kopjua
Në ditën e dytë të kërkimeve, ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë gjetur trupin e pajetë të personit që ishte zhdukur në Liqenin e Batllavës, derisa po notonte, raporton KosovaPress.
Operacioni i kërkim-shpëtimit u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, strukturat komunale të Komunës së Podujevës dhe shoqatat e angazhuara për kërkim dhe shpëtim.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me rrethanat e rastit, ndërsa pritet që organet kompetente të vazhdojnë procedurat e nevojshme hetimore.
Si erdhi deri te gjetja e trupit të pajetë të Blerim Ruhanit:
Blerim Ruhani humbi jetën pasi u zhduk derisa po notonte. Rasti u raportua të martën rreth orës 13:00, kur Policia e Kosovës u njoftua se një person kishte hyrë në ujë dhe nuk ishte parë më të dilte.
Menjëherë pas raportimit, autoritetet nisën një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi, ku u angazhuan ekipet e kërkim-shpëtimit.
Pas dy ditësh kërkime, ekipet e FSK-së arritën të lokalizojnë dhe nxjerrin nga uji trupin e pajetë të 25-vjeçarit. Ekipi mjekësor në vendngjarje konstatoi vdekjen e tij, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit kanë nisur procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.