Kanë kaluar gjashtë vjet nga vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, por që rrethanat e kësaj vrasje duke përfshirë edhe autorët ende mbeten të panjohura.
Oliver Ivanoviq, i cili kishte themeluar dhe po drejtonte Iniciativën Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, subjekt ky kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut, ishte vrarë më 16 janar të vitit 2018.
Në këtë gjykim, të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u patën deklaruar të pafajshëm për akuzat kundër tyre, ndërsa tre të akuzuarit e mbetur, Zvonko Vesellinoviq, Millan Radoiçiq dhe Zhelko Bojiq, ishin në arrati.
Ndërkaq, një aktakuzë e tretë është ngritur në nëntor të vitit 2020, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e kishte hedhur poshtë aktakuzën e dytë të Prokurorisë Speciale, pas kërkesës së palës mbrojtëse, të cilët apeluan vendimin.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Ai ishte bartës i listës “Liri, Demokraci, Drejtësi – Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, disa muaj para vrasjes së tij.
Përveç në Kosovë, hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Speciale e Serbisë, por atje hetimet nuk kanë shkuar më larg se sa faza e hetimeve paraprake.
Kah mesi i vitit 2019, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”.