Sa për rikujtim!
Presidenti George W. BUSH (Republikan): “Mjaft është mjaft… Kosova do të jetë e pavarur,” kishte deklaruar Bush gjatë visitës së tij historike në Tiranë, duke përcaktuar kjartë si kristali statusin final të Kosovës dhe duke i dhënë përfundimin efektiv të duhur negociatave të Vjenës (Tiranë, 10 qershor 2007). Kurse, sa ishte në Tanzani, më 19 shkurt 2008, gjerësa po proklamonte njohjen zyrtare të SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës, Bush kishte thenë: “në deklaratën e pavarësisë, Kosova përkushtohet për implementimin e standardeve më të larta të demokracisë, përfshirë lirinë dhe tolerancën si dhe drejtësinë për të gjithë qytetarët e të gjitha entive. Këto janë principe që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika i kërkon në miqët e vet… Ne i inkurajojmë liderët e Kosovës që së shpejti të aprovojnë provizionet e planit të Ahtisaarit, vecanërisht ato të dizajnuara për të mbrojtur të drejtët e komuniteteve jo-shqiptare të Kosovës…” (konferencë për media, Dar es Salaam, Tanzani, 19 shkurt 2008).
Presidenti Barack OBAMA (Demokrat): “Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në sforcimin e të mirave të pavarësisë si dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, multi-etnik, përfshirës, dhe demokratik. Ka ende punë për t’u bërë tani që liderët Kosovarë marrin mbi supe barren e implementimit të principeve të përfshira në deklaratën e pavarësisë dhe në kushtetutën e Kosovës për secilin qytetar. Kosova duhet të vazhdojë diskutimet në mënyrë konstruktive me fqinjët dhe të punojë për zgjidhjen e cështjeve të pazgjidhura, veçanërisht të atyre me Serbinë,” kishte deklaruar Presidenti Obama pas përfundimit të mbikqyerjes ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës (10 shtator 2012, deklaratë e presidentit, Shtëpia e Bardhë).
Presidenti Joe BIDEN (Demokrat): “Po ashtu, Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të përkrahin përpjekjet për të arritur paqe afatgjatë përmes dialogut produktiv në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit që ne besojmë se duhet të jetë e përqëndruar në njohjen reciproke,” thuhej ndër te tjera në letrën e Presidentit Biden për Presidenten e Kosovës (19 prill 2021) pak muaj pasi Biden kishte marrë mandatin e shefit të Shtëpisë së Bardhë. Kurse, në mesazhin e tij për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, thuhej: “Sic e dini, Kosova zë një vend special në zemrat e familjes Biden… T’i vazhdojmë përpjekjet tona te përbashkëta në thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona dhe për të arritur një të ardhme për një Kosovë vibrante, sovrane, multi-etnike, demokratike, që do e zë vendin e vet në institucionet Europiane dhe ato Euro-Atlantike…” (17 shkurt 2022, Shtëpia e Bardhë).
Kosova ka qenë e bekuar me miqësinë unike me SHBA-të; gjashtë presidentë, mbi tri dekada! Ka qenë, është, dhe do jetë gjithëherë interes yni strategjik e kombëtar ta ruajmë këtë aleancë duke qenë të përkushtuar pafundësisht për të mirën e shtetit e kombit tonë. Ky është obligim për secilin nga ne qoftë edhe atëherë kur mund të kemi dilemen e Abraham Lincoln-it se a duhet 'të ankohemi që trupat e trëndafilave kanë xhemba, apo tê gëzohemi që trupat me xhemba kanë trëndafila!'