Gjana: Mbi 8 mijë e 400 vizitorë vendas e të huaj në parkun natyror Korab-Koritnik
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Parku natyror Korab-Koritnik po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj me bukuritë e tij natyrore  dhe peizazhet mbresëlënëse.

Në muajt janar-qershor ka pasur një fluks të shtuar të vizitorëve në këtë park, që shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana tha sot për ATSH-në se “nga 1 janari deri më 30 qershor ky park është vizituar nga 8415 vizitorë, nga të cilët 5930 vendas dhe 2485 të huaj”.

Një ndër shtigjet e preferuara për turistët është Shtegu i Ngjyrave, i cili kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit.

Ardian Musaj theksoi se “vetëm në shtegun e ngjyrave ka pasur një numër të lartë vizitorësh vendas si dhe të huaj kryesisht gjermanë, belgë, amerikanë, zviceranë dhe anglezë”.

Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal kanë mundësi të vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij, ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve të mbuluara me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.

Gjurmët e këtij shtegu vijnë që nga lashtësia në kohën e krishtërimit. Mendohet se është një shteg 2400 vjeçar, i quajtur ”Scardus” nga romakët, që në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme. I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohet që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Evropë.

https://kosovapress.com/admin/revista-prestigjioze-amerikane-shqiperia-destinacioni-ushqimor-nen-radar/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024