Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha ka kujtuar menaxhimin e kohës së pandemisë, sigurimin e vaksinave, si dhe tri vaksinat e reja që kanë hyrë në kalendarin e rregullt të vaksinimit.
Gexha në panelin për shëndetësi të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, tha se si qeveri janë ballafaquar me kushte të kaosit dhe panikut ndërkombëtarë të pandemisë COVID-19.
Sipas saj, investime të mëdha kanë bërë edhe për të ardhmen dhe ruajtjen e popullatës.
“Është 5 fishuar buxheti për vaksinat e reja, domethënë tre vaksina të reja iu kanë shtuar kalendarit të rregullt të vaksinave. Prej 1 milionë në 6 milionë e kemi bërë për një periudhë shumë të shkurtër. të posa dalur nga kriza e pandemisë, ne kemi ndarë buxhetin. Nuk ka qeveri të tilla që kanë dhënë investim kaq të madh në rezultatet që ne do t’i shohim pas 20 viteve”, tha ajo.“Këta duken hapa që në dukje janë të vogël por ne sot si Kosovë në fushën e vaksinimit ftohemi në takimet ndërkombëtare për të inkurajuar shtetet që hezitojnë sepse asnjë shtet nuk e futin më shumë se një vaksinë sepse nuk ka guxim, nuk ka përkrahje politike, financiare dhe ne ftohemi, prej vitit 2023 kur kemi filluar me kalendarin e ri, ftesat te ne janë prej nivelit teknik dhe deri te niveli politik, deri te ministri që të prezantojmë punën tonë...sot jemi në një periudhë ku që nga politikat, që nga ligji për sëmundjet ngjitëse i cili është i miratuar dhe zbatohet, kemi politika deri te protokollet e thjeshta të komunikimit për gatishmëri, reagim ndaj emergjencave të shëndetit publik”, tha ajo.